Bujar Osmani i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim është i pari kandidat për president të Maqedonisë së Veriut që ka arritur të grumbullojë 10 mijë firmat e nevojshme për konfirmimin e kandidaturës.
Osmani ka postuar një video-mesazh, ku shihet krah familjes, bashkëshortes dhe tre fëmijëve teksa falënderon të gjitha ata që e kanë mbështetur dhe që u arritën të mblidheshin firmat e nevojshme për kandidaturën në vetëm dy ditë.
“Përshëndetje miq. Lajmi se janë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime më gjeti këtu në ambient familjar, deri sa po merrja edhe aprovimin e familjes sime, tani me mbështetjen e Valbonës, Elizës, Malit dhe Luanit dhe me mbi 10 mijë nënshkrime që u mblodhën në afat rekord për dy ditë punë
Është mirënjohja më e madhe për mua por para së gjithash përgjegjësi e madhe që t’i futem me seriozitet më të madh kësaj gare historike për President të Maqedonisë së Veriut.
Dëshiroj të kemi një fushatë pozitive, një garë idesh dhe veprash. Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e secilit prej jush”, tha Osmani.
Të gjithë kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut po mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garën e 24 prillit. Për këtë duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e tridhjetë deputetëve në parlament.
Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndër ta edhe individë të panjohur për publikun. Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.
Kush është Bujar Osmani:
Bujar Osmani ka lindur më 11 shtator 1979 dhe ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Osmani ka titullin specialist-kirurg të cilin e ka marrë në Klinikën për Kirurgji digestive. Specializimin ai e ka përfunduar në Shkup dhe në Londër në qendrën për transplantimin e mëlçisë dhe kirurgjisë abdominale.
Në politikë Osmani ka mbajtur disa role kyçe, siç ka qenë Ministër i Shëndetësisë për një mandat. Po ashtu ai është edhe zëdhënësi i Partisë BDI, e cila kryesohet nga Ali Ahmeti. Aktualisht Osmani është Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë me këtë post.
Po ashtu Osmani është shqiptari i parë që ka arritur të kryesojë mbledhjen e samitit të OSBE-së.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo