Koalicioni VLEN thotë se kandidati i saj Arben Taravari në kohë rekord ka arritur të sigurojë mbi 10 mijë nënshkrime për kandidaturën e tij për president në Maqedoninë e Veriut.
Opozita shqiptare theksoi se nëse KSHZ-ja do të kishte kapacitet më të madh, firmat për Taravarin do të grumbulloheshin brenda një dite.
Ndërkohë ditën e djeshme 26 shkurt, mblodhi 10 mijë nënshkrime Bujar Osmani i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim për president i Maqedonisë së Veriut.
Të gjithë kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut po mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garën e 24 prillit. Për këtë duhen 10 mijë nënshkrime ose mbështetja e tridhjetë deputetëve në parlament.
Në garë deri tani janë 13 kandidatë, ndër ta edhe individë të panjohur për publikun. Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.
Në Maqedoninë e Veriut raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill 2024. Nëse në raundin e parë nuk merren ekuivalenti i mbi 50% të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar, atëherë zhvillohet raundi i dytë që do të mbahet më 8 maj 2024. Në rundin e dytë, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë së paku 40% që rezultati të konsiderohet i vlefshëm.
Kujtojmë që 28 Janari i 2024-ës do të mbahet mend në histori si dita kur Maqedonia e Veriut zgjodhi për herë të parë një kryeministër shqiptar. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i Maqedonisë së Veriut deri në formimin e qeverisë së re.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në vend do të mbahen më 8 maj. Qeveria e Talat Xhaferit u zgjodh më 28 janar, me 65 vota pro dhe tre kundër.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo