Tirana “blindohet” për Zelenskyn, RENEA në terren dhe snajperistat në tarracë
28/02/2024
Prej mbrëmjes së djeshme, me mbërritjen e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, masat e sigurisë janë shtuar në kryeqytet.
Prej rreth një ore presidenti i Ukrainës është duke zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, ndërsa jashtë godinës ka forca të shumta policie. E teksa liderët janë duke zhvilluar një takim, në tarracën e godinës së Universitetit të Politeknikut janë vendosur snajperat.
Në bulevardin Dëshmorët e Kombit është bllokuar qarkullimi i automjete, ndërsa janë vendosur forca të shumta policie për mbarëvajtjen e sigurisë së Samitit Ukrainë-Evropajuglindore.
Po ashtu LSA ka publikuar disa foto, ku shihet se ka gardhe metalike nga Bulevardi te Kryeministria. Po të njëjtat masa janë marrë edhe te Pallati i Kongreseve, ku në orën 11.00 nis Samiti i Ukrainës, e ku pjesëmarrës do jenë liderët e disa shteteve.
Pak më herët pamë që edhe kur Zelensky shkjoi në Kryeministri shoqërohej nga një numër i lartë makinash policie. Ndërsa forcat RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, të cilave u janë bashkëngjitur edhe forca të sigurisë ukrainase janë në gatishmëri për të siguruar mbarëvajtjen e të gjithë takimit dhe samitin. Ndër të tjera është bërë me dije se rreth 1500 efektivë të policisë do të jenë në terren ditën e sotme.