Bashkia e Shkodrës ka dalë me reagim zyrtar për situatën dhe ndotjen alarmante në mes të qytetit, pranë shkollës 9 vjeçare “Branko Kadia”. Rasti u bë publik nga gazetari shkodran Klodian Zhivani dhe u pasqyrua dhe nga neësbomb.al, duke nxitur mesa duket dhe reagimin e autoriteteve.
“Me të marrë informacionin, bashkia Shkodër ka ngritur grupin e punës së bashku me inspektorët e rajonit për evidentimin e shkaktarëve të kësaj ndotje ndërkohë që do të kryhet edhe pastrimi i plotë i kësaj zone, edhe pse në një territor privat por që rrezikon çdo ditë shëndetin e fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Bashkia e Shkodrës e konsideron rastin si të paprecedentë dhe falenderon gazetarët që i kanë treguar institucioneve pronën private pranë shkollës 9 vjeçare që ishte kthyer në landfill mbeturinash në mes të qytetit.
“Nëpërmjet këtij rasti, i bëjmë sërish thirrje të gjithë qytetarëve të Shkodrës që të zbatojnë rregulloren për menaxhimin e mbetjeve urbane që ka hyrë në fuqi që nga 1 Janari i këtij viti ku janë të përcaktuar qartë oraret për hedhjen e mbeturinave nga familjarët nga ora 06:00-9:00 dhe 20:00-22:00, në rast të mos zbatimit të gjithë individët do të penalizohen me gjobë, nga 5.000 -20.000 lekë”, përmbyllet reagimi zyrtar.
Një landfill gjigand me mbeturina i krijuar ndër vite në një shtëpi të braktisur, e cila nuk pastrohet nga autoritetet lokale me pretendimin se është pronë private.
Nën këtë justifikim, qindra nxënës dhe mësues të shkollës 9 vjeçare “Branko Kadia” durojnë erën mbytëse të mbeturinave të bëra kapicë dhe kërkesat e tyre për të marrë masa kanë rënë në vesh të shurdhër.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo