Lajme

Edi Rama thirrje Putin: Ndalo luftën! Zelensky: Të prodhojmë municione në Shqipëri!

Samiti Ukrainë – Europa Juglindore ka nisur zyrtarisht mesditën e kësaj të mërkure në Tiranë dhe kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën hapëse, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Atje ndodhet liderët e rajonit dhe vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Rama dhe Zelensky, mikpritën së bashku liderët pjesëmarrës dhe më pas ju drejtuar tryezës së përbashkët ku po mbahet mbledhja me dyer të mbyllura.

Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar është shprehur se lufta që ka hyrë tashmë në vitin e tretë të saj që as Ukraina dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk e zgjodhi, por është një ëndërr e vjetër perandorake që lideri rus Vladimir Putin do ta bëjë realitet.

“Prania juaj këtu është një tregues si ai nuk ia ka dalë. Rusia nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas për të jetuar i lirë”, u shpreh Edi Rama. Ai tha se Shqipëria nuk ka as kapacitete financiare dhe as ushtarake për të ndikuar këtë luftë, por ka zërin për t’i bërë thirrje kombeve perëndimore që të mbështesin Ukrainën.

Lexo edhe: E zbulon vetë Zelensky, në Shqipëri mund të prodhohen armë për mbrojtjen e Ukrainës

“Vladimir Putin donte ta fshinte Ukrainën nga hartat për çështje ditësh, por Ukraina është sot më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë. Sapo kemi shënjuar përvjetorin e dytë të luftës. Duam të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë që ta ndalojë këtë luftë”, vijoi kryeministri.

Fjalën i dyti e mori presidenti ukrainas i cili falenderoi Edi Ramën dhe vendin tonë për ndihmën personale dhe shtetërore për vendin e tij, që nga nisja e luftimeve në shkurt 2022. Ai tha tani është kur do të përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekë Europa e brezave të ardhshëm.

“Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të. Dikush meriton më shumë siguri dhe paqe, kurse dikush tjetër vuan për paqen që nuk e ka. Respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë për të pasur siguri, duhet të jenë parime universale”, tha Volodymyr Zelensky.

Më tej, gjatë fjalë së tij lideri ukrainas tha se vendi i tij tashmë po vuan për municione dhe kërkoi mbështetje nga partnerët për mundësinë që në Ballkanin Perëndimor të prodhohen municione që do t’i ndihmojnë luftëtarëve të lirisë në frontin e parë të luftës ukrainase.

“Ne jemi të interesuar për të prodhuar municione, qoftë në Kiev ose në një nga kryeqytetet tuaja”, u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky, duke përsëritur atë që kishte diskutuar privatisht me Edi Ramën në Kryeministri. Me shumë gjasa, Shqipëria mund të jetë vendi ku mund të prodhohen municione për luftën në Ukrainë, duke marrë parasysh historinë e kaluar të vendit tonë.

Ky takim me rëndësi të posaçme mbledh në një tryezë diskutimi liderët:

  1. Borjana Krišto, Kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës;
  2. Maia Sandu, Presidente e Moldavisë;
  3. Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës;
  4. Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut;
  5. Aleksandar Vučić, President i Serbisë;
  6. Andrej Plenković, Kryeministër i Kroacisë;
  7. Jakov Milatović, President  i  Malit të Zi.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo