Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka regaur në lidhje me raportin e BERZH, ku thuhet se emigracioni i lartë nxitet nga qeverisja e keqe dhe se Shqipëria mban rekord emigrimi në raport me popullsinë.
Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se keqqeverisja e Edi Ramës është shkaku i vetëm i shpopullimit dramatik të vendit, më i lartë edhe se në shtetet e përfshira në luftë apo në konflikte civile.
Ndër të tjera Meta shkruan se Partia e Lirisë është e vendosur që të frenojë shpopullimin dhe të ndihmojë të rinjtë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri.
“Është Edi Rama dhe keqqeverisja e tij shkaku i vetëm i shpopullimit dramatik të vendit, më i lartë edhe se në shtetet e përfshira në luftë apo në konflikte civile. Edhe raporti më i fundit i BERZH konfirmon se: “Emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe”.
Është shume i rëndë fakti që sipas BERZH, Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021.
BERZH gjithashtu jep alarmin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa ekspertë dhe profesionistë, nga rënia e vazhdueshme e popullsisë. Për Partinë e Lirisë frenimi i shpopullimit është kauza më madhore. Ne jemi të vendosur që të rinjtë tanë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri”, shkruan Meta ndër të tjera.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo