Lajme

Tirana mikpret sot Samitin BE-Ballkani Perëndimor, merr pjesë Vuçiç, mungon Kosova

Pas Samitit Ukrainë-Europë Juglindore, Tirana mikpret sot Samitin BE-Ballkani Perëndimor, mbi Planin e Rritjes, i cili do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve.

Në fokus të këtij Samiti do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Punimet e Samitit do të mundësojnë shkëmbimin e pikëpamjeve mbi të ardhmen evropiane të rajonit si edhe diskutimin e sfidave të përbashkëta.

I pranishëm në Samit do të jetë Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. Gjithashtu në Samit sot pritet të marrë pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndryshe nga dje, sot nuk do të jetë e pranishme në Samit.

Ndërkohë mësohet se do të jetë i pranishëm në samit edhe Talat Xhaferi, vizita e tij e parë në Shqipëri si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Sipas axhendës së publikuar në media, kryeministri Edi Rama do të presë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, liderët pjesëmarrës në këtë samit, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalë hapëse bashkë me Komisionerin Várhelyi.

Paneli i parë i diskutimeve do të fokusohet te hyrja në tregun e përbashkët, ndërsa paneli i dytë mbi planin e rritjes. Në kuadër të këtij samiti do të nënshkruhet edhe një marrëveshje në fushën e arsimit. Rreth orës 12:30, kryeministri Rama dhe komisioneri Várhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Plani i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla: rritjen e integrimit ekonomik me TREGUN UNIK TE BE; rritjen e inegrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes një tregu të përbashkët rajonal që mund të shtojë 10 përqind ekonominë e secilit vend; përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e ndihmës financiare.

Do të ketë një instrument të ri financiar prej 6 miliardë euro. Shtatë fusha do të jenë prioritare: lëvizja e lire e mallrave, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe punëtoreve; qasja në zonën e pagesave euro; lehtësimi i transportit rrugor; integrimi dhe dekarbonizimi i tregjeve të energjisë; tregu i unifikuar digjital dhe integrimi në zinxhirët e furnizimit industrial.

Mbështetja prej 6 miliardë eurosh do të jetë per periudhën 2024-2027. Një minimum prej 3 miliardë eurosh (2 miliardë grante dhe 1 miliard kredi të favorshme), sipas dokumentit të lancuar nga BE do të shkojnë për investime përmes kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor; 3 miliardët e mbetura do të jenë kredi të favorshme që do të përfitojnë qeveritë e këtyre vendeve me kusht që të përmbushin agjendat e reformës.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikqyrja e buxhetit. Nëse kushtet e pagesave nuk plotësohen, komisioni do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Ndërkohë vendet e Ballkanit do të kenë 1-2 vite kohë të përmbushin kushtet, në të kundërt, shuma do të rishpërndahet mes vendeve që i kanë arritur ato.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo