ShowBizzz

Paanshmëria: Një udhëzues për konsumin e informuar të lajmeve

“Ndërsa zhytemi gjithnjë e më shumë në epokën dixhitale, ne jemi të bombarduar çdo ditë prej një pafundësie burimesh informacioni. Megjithatë, shpesh,  e gjejmë veten në kurthet e lajmeve’, duke preferuar vetëm ato pak burime që përputhen me pikëpamjet tona ekzistuese.”

“Ky zakon e kufizon ekspozimin tonë ndaj këndvështrimeve të ndryshme. Eshtë njësoj sikur të përpiqemi të zgjidhim një enigmë apo gjëegjëzë, duke patur vetëm disa copëza të cunguara në dorë.

Për një konsumator lajmesh, njohja e anshmërisë në raportim është kritike, sidomos në rastet kur mediat nuk i shpallin hapur prirjet e tyre politike. Dhe një tregues kyç i anshmërisë, është mënyra se si na prezantohen opinionet. Mediat me reputacion të lartë, i ndajnë në mënyrë të qartë raportimet e fakteve, nga opinionet dhe editorialet.

Po kështu vlerësimi i burimeve që citohen në një artikull, është një aftësi kritike. Citimi i përsëritur i vetëm disa organizatave apo personave të caktuar, është zakonisht sinjal për mungesë paanshmërie.

Në raste të tilla, mediat bëjnë një përzgjedhje selektive: marrin provat që vërtetojnë pikëpamjen e tyre ekzistuese, ndërkohë që injorojnë çdo lloj informacioni që bie ndesh me të.

Ç’duhet të bëjmë ne si konsumatorë? Po ja, imagjinojeni veten si një Gjykatës. Për të marrë një vendim të drejtë, e ke të domosdoshme të dëgjosh të dyja anët e historisë. Po këto parime vlejnë edhe për konsumin e lajmeve.

Mediat e kontrolluara apo të sponsorizuara nga qeveritë, zakonisht pasqyrojnë interesat e atyre që janë në pushtet, duke bërë shpesh herë një shtrembërim të narrativës së lajmeve.

Agjenci lajmesh si agjencia iraniane Fars Neës Agency, apo Xinhua e Kinës, janë shembuj ku rrëfimet e ofruara prej qeverive ndikojnë në mënyrë të dukshme në mënyrën e raportimit, duke e dëmtuar paanshmërinë.

Po kështu, gjuha që përdoret gjatë raportimit ka një ndikim domethënës në mënyrën se si publiku dhe konsumatorët e lajmeve, e perceptojnë realitetin. Fjalë të tilla si “pranuar” apo “imigrantë pa dokumenta”, mbartin konotacione të cilat kanë ndikim mbi rrëfimin.

Që të bëhemi konsumatorë më të informuar që e dinë qartë se çfarë konsumojnë në media, duhet që të dalim jashtë prej zonës sonë të rehatisë. Duhet të analizojmë në mënyrë kritike burimet dhe gjuhën e përdorur, dhe mbi të gjitha duhet të kërkojmë perspektiva të ekuilibruara në raportimin e lajmeve.

Në botën ku jetojmë, edukimi mediatik nuk është thjesht diçka e vlefshme – ai është thelbësor. / TruthHub – Bota.al