Jo më në krah të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, por si bashkëpunëtori i ish-kryeministrit Sali Berisha, Gazment Bardhi u rikthye në selinë blu pas gati dy vitesh mungesë më 11 shkurt 2024.
Së bashku me deputetët që e mbështesnin, Bardhi u bashkua me deputetët përkrahës të ish-kryeministrit, dhe nga po e njëjta sallë ku dikur akuzonte Sali Berishën se po çonte demokratët drejt përçarjes ai bëri thirrje që të bashkohen dhe të jenë bashkë për të bërë Partinë Demokratike ajo që ka qenë.
Së fundmi, burime për mediat bëjnë me dije se gjithë kjo “sakrificë” dhe mbështetje që po i ofron Berishës do të shpërblehet për Bardhin. Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha më 5 shkurt do të zhvillojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku pritet të miratohen ndryshimet në statut. Gazment Bardhi pritet të bëhet nënkryetar i Partisë Demokratike të Sali Berishës, dhe Agron Gjekmarkaj si nënkryetar i Kuvendit.
Gjithashtu, mësohet se dy grupimet e Partisë Demokratike, ajo e Bardhit dhe ajo e Berishës do të “shkrihen” në një të vetme. Pritet që gjatë kësaj mbledhje në kryesinë e partisë së udhëhequr nga ish-kryeministri të integrohen dhe deputetët e Bardhit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se emrat që do bëhen pjesë e Kryesisë së Rithemelimit janë deputeti Ervin Salianji si zv.kryetar i grupit parlamentar dhe kryetarët e komisioneve parlamentare që ka grupi Bardhi, pra Jorida Tabaku dhe Zheni Gjergji.
Mësohet se emri i Jorida Tabakut është propozuar për tu bërë pjesë e Kryesisë, si kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit. Por, a do e pranojë kjo e fundit këtë pozicion, duke marrë parasysh se përgjatë gjithë kësaj kohe ka vendosur që të mbajë qëndrim neutral dhe duke pohuar se qëndron në krah të Partisë Demokratike, pa specifikuar se te kush grup i PD, te ai i Lulzim Bashës, Sali Berishës apo Gazment Bardhit!
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo