ShowBizzz

“Gënjeshtra ka bërë xhiron e gjysmës së botës, ndërkohë që e vërteta nuk ka veshur ende këpucët”

Ekziston një citat që zakonisht njerëzit ia atribuojnë shkrimtarit Mark Twain.

Ai thotë: “Gënjeshtra ka bërë xhiron e gjysmës së botës, ndërkohë që e vërteta nuk ka veshur ende këpucët”.

Sot, kjo është më e vërtetë se kurrë.

Në dekadat e mëparshme, shumica e mediave kishin gazeta dhe rrjete, të cilat kishin burimet për ta siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë informacionin.

Agjenci si Reuters apo Associated Press, ishin të rralla, krahasuar me ditët e sotme.

Shpejtësia me të cilën përhapet informacioni sot, ka krijuar kushtet ideale për një fenomen

i cili quhet: raportimi qarkullues.

Kjo ndodh kur media A publikon një dezinformatë, media B e ripublikon atë, dhe pastaj media A citon median B si burimin e informacionit.

Raportim qarkullues është edhe kur media të ndryshme botojnë të njëjtin informacion të pavërtetë, i cili më pas shfaqet si një material i cili është verifikuar nga disa burime informacioni.

Për shembull, botimi në vitin 1998 i një studimi pseudoshkencor, që thoshte se vaksinat tek fëmijët shkaktojnë autizëm, frymëzoi një lëvizje të tërë kundër vaksinave, pavarësisht faktit se studimi fillestar është diskredituar vazhdimisht nga komuniteti shkencor.

Rezultati është që, fëmijët të cilët lihen qëllimisht të pavaksinuar, sot infektohen prej sëmundjeve ngjitëse të cilat ishin eleminuar.

Një tjetër shembull, jo kaq i rëndë, janë artikujt satirikë që krijohen për t’u dukur si të vërtetë, dhe që merren e botohen nga media që nuk janë në brendësi të shakasë.

Për shembull, një shaka e bërë në botimin me reputacion, British Medical Journal, me titull “Shpenzimi i Energjisë tek Adoleshentët që luajnë Lojëra të Gjeneratës së Re”, është përmendur dhe cituar mbi 400 herë në botime shkencore serioze.

Edhe materialet e krijuara nga lexuesit, si për shembull komentet, mund të jenë një kontribues për raportimin qarkullues.

Ndërkohë që gjithnjë e më shumë gazetarë mbështeten pikërisht tek këto lloje faqesh për të krijuar artikuj në një kohë të shpejtë, një fakt i verifikuar në një blog mund të gjejë rrugën dhe të botohet në një artikull, i cili më vonë mund të përdoret si burim për një tjetër blog, duke e bërë atë gjithnjë e më të vështirë për t’a diskredituar.

Përparimet e fundit në fushën e teknologjisë së informacionit, kanë eleminuar shumë pengesa midis njerëzve dhe burimeve të informimit.

Por dëshira jonë për të patur përgjigje të shpejta dhe në një kohë të shkurtër, mund ta eklipsojë dëshirën për të qenë të sigurt mbi vlefshmërinë e tyre.

Dhe kur këto shtrembërime fryhen e fryhen nga miliarda njerëz kudo në botë, sa hap e mbyll sytë, atëherë nevojitet më shumë kujdes.

Duhet të shmangim mediat që i fryjnë sensacioneve, duhet të jemi kritikë ndaj informacioneve të dyshimta, dhe duhet të kërkojmë gjithmonë burimin e një lajmi, nëse duam që t’u vëmë fre gënjeshtrave dhe përhapjes së tyre.

Kështu, do i japim më shumë kohë të vërtetës që të veshë këpucët.