Mediat greke i kanë kushtuar këtë të martë artikuj të shtumtë dënimit me 2 vite burg të kryebashkiakut të zgjedhur por të pabetuar të Himarës, Fredi Beleri. Disa e cilësojnë hakmarrje të Edi Ramës, ndërsa të tjerë flasin edhe për iluzione.
Një ndër mediat më me ndikim në vendin fqinj, “Kathimerini” ka bërë një artikull të fortë për zhvillimin e sotëm në Tiranë dhe ngre dyshime për ngjarjet që do pasojnë.
“Zhvillimet janë në rrjedhë dhe në mediat shqiptare ka rrjedhje për bisedat e regjistruara të Belerisit me zyrtarë të qeverisë në Greqi, të cilat nëse shohin dritën e ditës mund ta vënë Athinën në pozitë të vështirë”, thuhet në artikull.
“Do të jetë interesante të shohim se cilat do të jenë lëvizjet e radhës të politikës së jashtme greke dhe si do të reagojnë aleatët europianë dhe amerikanë, të cilët deri më tani kanë mbyllur sytë ndaj Ramës”, shkruan autori i artikullit, gazetari Stavros Tzimas.
Më tej, “Kathimerini” thotë se dënimi me dy vite burg i Fredi Belerit për shitblerje votash nuk ka habitur askënd, duke sulmuar direkt edhe kryeministrin Edi Rama. Sipas medias në fjalë, lirimi i Belerit do ishte një goditje e fortë për Ramën, ndaj ai është lënë në burg.
“Përkundrazi, lirimi i tij do të ishte një surprizë, sepse në atë rast vendimi do të ishte një goditje për Edi Ramën . Me fjalë të tjera, “drejtësia e tij e pavarur” do të shfajësonte Belerisin dhe ata që qajnë për skevorinë. Dhe për ata që e dinë se çfarë është Rama si personalitet, një zhvillim gjyqësor i ndryshëm nga ai aktual nuk mund të ekzistonte”, thuhet në artikull.
I njëjti qëndrim shtrihet gjatë gjithë shkrimit, pasi media në fjalë thekson se Edi Rama shquhet për hakmarrjen e tij aq sa për të shfarosur politikisht Fredi Belerin.
“Rama nuk është aq i shqetësuar nëse Beleris do të jetë brenda apo jashtë burgut, edhe pse shquhet për hakmarrjen e tij si personalitet, sa për ta shfarosur politikisht. Në këtë rast, ai nuk duhet të ketë të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjet e reja për kryetar të Bashkisë së Himarës, të cilat, siç ka deklaruar vetë Rama, do të shpallen pas përfundimit të gjyqit të Belerisit”, shkruan media greke.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo