Ish-këshilltari i familjes mbretërore, Murat Basha ka zbuluar në Repolitix në Report Tv detaje nga pasuria e Princ Lekës.
Basha tha se po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit. Basha tha se kanë edhe prona të paluajtshme.
“Nuk e di sa është pasuria sepse për natyrë nuk pyes kurrë për gjëra të tilla. Prona kanë shumë, disa të marra disa të pamarra. Nuk kam ide shifrash, është në gjendje të rehatshme ekonomike, ka jetuar rehat, s’di të ketë probleme financiare. Di që po ndërtohet një pallat pas hotel Dajtit, e zonja ka marrë një pronë të dhuruar nga princi”, tha ai.
Ai thekson se Princ Leka aktualisht jeton me qira dhe se pas përfundimit të procesit të divorcit do vendoset në Pallatin Mbretëror.
Ndërsa sa i takon Elia Zaharisë dhe vajzës, të cilat jetojnë ende në Pallatin Mbretëror, më pas do të vendosen në një shtëpi tjetër, që sipas Bashës u është dhuruar nga Princi.
“Ai është në shtëpi të tij, ka lënë ish- bashkëshorten të jetojë në shtëpinë e tij dhe jeton me qira derisa të mbarojë divorci, është djalë i jashtëzakonshëm. Ai është jetim, gjeti mbështetje te bashkëshortja dhe një familje. Ai jeton jashtë oborrit mbretëror, deri ditën kur të zgjidhet dhe ajo të sistemohet në një banesë tjetër, që ja ka dhënë ky bashkë me një biznes”, tha Basha.
Lidhur me procesin e divorcit dhe pasurinë, avokati i Lekës, Aranit Roshi, tregoi se pasuritë e paluajtshme, mes tyre edhe Pallati Mbretëror, nuk futen në listën e pasurive që ndahen mes çiftit. Por avokati thekson, se Princ Leka një pasuri të konsiderueshme ka rënë dakord që t’ia kalojë Elias dhe vajzës së tij që t’u sigurojë një jetesë komode.
“Ka dy marrëveshje, janë bërë me akt noterial. Marrëveshja e parë është për zgjidhjen e martesës që është nënshkruar kërkesa dhe depozituar në Gjykatë. Do i nënshtrohet vlerësimit nga gjykata dhe në fund do vendosë ta miratojë duke zgjidhur martesën ligjërisht. Gjykata garanton të drejtat e fëmijës, shikon nëse marrëveshja garanton këto të drejta.
Marrëveshja e dytë është një kontratë, ku Princ Leka një pasuri të konsiderueshme ja njeh Elias dhe vajzës së tij që tu sigurojë një jetesë komode. Nuk mendoj që arsyeja dhe konflikti është pasuria. Në të gjitha marrëveshjet ka qenë e asistuar nga njohës të ligjit dhe ajo e ka kuptuar dhe ka qenë në dijeni të pasoja që vijnë. Pasuria e trashëguar nuk hyjnë në atë regjim që ndahen mes bashkëshortëve. Ka qenë vullneti që t’i kalojë këto pasuri te vajza dhe ish-bashkëshortja”, u shpreh avokati për Repolitix.
Aktualisht Princ Leka jeton me qira, ndërsa Eliza Zaharia dhe vajza 3-vjeçare jetojnë në Pallatin Mbretëror. Princi zhvillon vizita të vazhdueshme për të takuar vajzën, ndërsa avokati thekson se pas përfundimit të divorcit Princ Leka do rikthehet sërish në Pallatin Mbretëror.
“Do rikthehet, është larguar për të krijuar komoditet për Elian dhe fëmijën. Ky është qëllimi, nuk është se kemi ndonjë zhveshje nga posedimi. Do kthehet tek shtëpia e tij”, thekson Roshi.
Ndërkohë, avokati sqaron se Princ Leka nuk ka ngritur pretendime për kujdestarinë e vajzës, pasi nisur nga mosha e saj, 3 vjeç, është gjykuar që të qëndrojë me nënën.
lokimagazine