Një bazë e madhe armatimi është zbuluar ditën e sotme nga policia në Babicë të Vlorës.
Në një konferencë për mediat, kreu i policisë së Vlorës Ermal Muçaj bëri me dije se në pranga ka rënë Luciano Deraj, i dyshuar për lidhje me grupe kriminale dhe roli i tij ishte të ruante bazën e armatimeve. Deraj kishte kamufluar një banesë, në të cilën mbante armë të ndryshme.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar: snajper, pjesë përbërëse arme luftarake, pistoletë Zastava 10 mm me dy krëhëra, pistoletë dhe 40 fishekë 5.6mm, armë e kalibrit 12 mm, mina me celular, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi optike vëzhgimi, kuti plastike me 200 fishekë 9 mm, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa makinash, çelësa makinash, maska, fenelina, veshje të ndryshme.
“Posedonte arsenal armësh dhe lëndë shpërthyese, anëtarë të grupit kriminal. Në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur arrestimi i një personi dhe sekuestrimi si më poshtë.
Snajper, armë luftarake, pistoleta, 7 kallëpe lëndë eksplozivi. Dylbi, aksesorë plotësues, sasi e madhe fishekësh, 45 krehra automatiku. Një sasi shumë e madhe municioni, aparate celularë, radio marrëse, antenë. Ftoj qytetarët të jenë më bashkëpunues me drejtësinë. I referohemi dy ngjarje kriminale, armët do t’i nënshtrohet ekspertizës. Do t’i nënshtrohen të gjitha provave. Janë të dyshuar për një ngjarje kriminale në Vlorë”-tha kreu i policisë së Vlorës në një konferencë për shtyp.
Policia deklaroi se dyshohet që armatimet janë përdorur për 2 ngjarje kriminale të ndodhura në Vlorë dhe nuk hodhi poshtë mundësinë që kjo bazë armatimi të jetë përdorur nga autorë për ngjarje e fundit kriminale. Kujtojmë se pak kohë më parë në Vlorë u qëllua me armë 22 vjeçari Gëzim Sinomati, mirëpo autori i krimit ende nuk është verifikuar.
Deklarata e plotë e kreut të policisë së Vlorës, Ermal Muçaj
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Ermal Muçaj, konferencë për shtyp, në lidhje me parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale.
Përshëndetje, faleminderit për pjesëmarrjen.
Jam sot këtu, për t’ju përcjellë rezultatet e operacionit policor të koduar “Knock Out 6”, i cili është zhvilluar në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme me pasoja të rënda kriminale.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Forcës Speciale “RENEA”, janë përfshirë në veprime të thelluara hetimore dhe operacionale, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve kriminale, dokumentimin e aktivitetit të grupeve kriminale, identifikimin e anëtarëve dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.
Falë informacioneve të siguruara dhe të vërtetuara në rrugë operative, për subjektin Luciano Deraj alias “Albano”, banues në Babicë të Madhe, Vlorë, në hetim nga ana jonë, për kryerjen e dy veprave të rënda kriminale, disa kohë më parë, në Vlorë, i cili posedonte një arsenal armësh, municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari të tij dhe të personave të tretë, anëtarë të një grupi kriminal në qytetin e Vlorës, të cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale. Në kuadër të ketij operacioni, i cili u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në rrethinat e Vlorës dhe qytet, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit të sipërpërmendur dhe sekuestrimi i një sasie të madhe armatimi, si më poshtë:
1. Një armë zjarri snajper e kalibrit 7.62 mm, e montuar në gjendje luftarake, me silenciator (zhurmëmbytës);
2. Pjesë përbërëse të armëve luftarake, për formimin e 2 armëve të tjera zjarri pushkë snajper;
3. Një armë zjarri pistoletë, e markës “Zastava” kalibri 10 mm, dhe 2 krehra me fishekë të po këtij kalibri;
4. Një armë pistoletë-stilolaps me ngjyrë bronxi dhe një sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 mm;
5. Një armë e futur në këllëf, e kalibrit 12 mm, prodhim Rus;
6. Dy kuti plastike me material ndihmëse për mirëmbajtjen e armëve snajper;
7. Minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe shtatë kallëpe me lëndë eksplozive plastik të kapaciteteve 200 dhe 400 gr;
8. Katër silenciatorë me trup metalik me ngjyrë të zezë për armë të gjata;
9. Një dylbi optike termike me ngjyrë ushtarake, me gjatësi 41 cm me shikueshmëri natën;
10. Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi;
11. Dy palë dylbi optike vëzhgimi;
12. Akesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit;
13. Një kuti plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës gjenden 200 copë fishekë kalibri 9 mm.
14. Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 mm dhe 45 krehra automatiku fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri;
15. Nje sasi e madhe fishekësh kalibri 12 mm;
16. Disa mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, ndezësa granatash dore;
17. Disa celëularë që do t’i nënshtrohen ekspertizës;
18. Një radio marrëse-dhënëse, me mbishkrimin, me karikuesin e saj në valë të DVP Vlorë;
19. Një pajisje me antenë;
20. Njësi qëndrore kompjuteri dhe DVR;
21. Një numër i madh targash automjetesh dhe celësash të ndryshëm automjetesh;
22. Disa maska me ngjyre të zeze dhe maska silikoni me formën e kokes se njeriut;
23. Disa fenelina policie dhe veshje te ndryshme.
Theksoj se Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacioneve të koduar “Knock Out 4” dhe “Knock Out 5”, që u finalizuan gjatë muajit shkurt, sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri: 1 minë me telekomand, 5 kallepe tritol, 7 kapsolla dentoatore, 4 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, 1 jelek antiplumb, të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.
Përfitoj nga rasti të siguroj qytetarët e qarkut Vlorë, se strukturat e Policisë janë tërësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për të parandaluar, evidentuar dhe goditur krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftoj përsëri qyetarët që të jenë akoma më bashkëpunues me Policinë, pasi vetëm së bashku mund të krijojmë një ambient sa më të sigurtë për qytetarët dhe aspak të sigurtë për elementet kriminale.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo