Një nga grupimet e Partisë Demokratike, i drejtuar nga Lulzim Basha, ka dalë me një reagim të menjëhershëm në mesnatë për të theksuar se ata nuk janë në asnjë negociatë as sekrete dhe as publike me grupimin tjetër, të drejtuar nga Sali Berisha.
Nisur nga lajmet që kanë dalë në media këtë të enjte, për kulisa apo bisedime të fshehta me mazhorancën për rikthimin e opozitën në jetën normale parlamentar, grupimi i Bashës është detyruar të dalë me qëndrim zyrtar.
“PD dhe asnjë funksionar i saj nuk ka asnjë negociatë as sekrete as publike me Sali Berishën apo vartësit e tij. Ata që bënë negociata për karrige po spinojnë një gënjeshtër të trashë”, thotë reagimi, duke rrëzuar kështu pretendimet apo deklaratat sporadike në media.
“PD dhe asnjë funksionar i saj nuk ka asnjë negociatë as sekrete as publike me Sali Berishën apo vartësit e tij. Ata që bënë negociata për karrige po spinojnë një gënjeshtër të trashë. PD e ka të përcaktuar rrugën e saj publikisht në Kuvendin e dhjetorit 2021.
Dera e PD është e hapur për çdo demokrat që kërkon të sjellë ndryshimin në vend. Për ne mbështetja për drejtësinë, aleanca me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE, janë të panegociueshme”, thuhet në reagimin e grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha.
Edhe Gazment Bardhi është pyetur drejtpërdrejt mbrëmjen e sotme nëse grupimi kryesor që ai përfaqëson në Partinë Demokratike është duke zhvilluar bisedime sekrete me Partinë Socialiste, për rikthimin e normalitetit parlamentar në seancë dhe komisione.
Sipas tij, opozita ka qenë përherë e hapur për dialog me mazhorancën sepse kërkesat e saj janë të drejta kushtetuese të opozitës. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë as për favore nga Partia Socialiste dhe as për kulisa që bëhen në kafe.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo