Depo me armë e cila u zbulua ditën e djeshme në fshatin babicë në Vlorë, ka qenë brenda vilës së Luçiano Derajt.
Luçiano (Albano) Deraj rezulton i dënuar më parë për drogë dhe kur RENEA ka ndërhyrë në shtëpinë e tij, i riu ishte duke fjetur dhe ishte prej disa kohësh nën survejim nga policia.
Nga kontrolli, mes tavanit dhe çatisë është gjetur një sasi e madhe e armëve dhe municioneve luftarake. 35 vjeçari është nën hetim nga Policia e Vlorës si i dyshuar për përfshirjen në dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin bregdetar.
Vila e Luçiano (Albano) Deraj ishte kthyer në një depo armatimesh të cilën forcat RENEA dhe Policia e Vlorës e zbuluan ditën e djeshme pasi mësynë brenda banesës duke zbuluar një bazë armatimesh.
Në banesë u gjetën disa lloje armatimesh, snajper, pistoleta, qindra fishekë, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme. Baza e armatimeve dyshohet se është përdorur apo do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale.
Por ajo që policia dyshon është se snajperi i cili është sekuestruar brenda në banesë, është përdorur për vrasjen e 23-vjeçarit Gëzim Sinomatiti me snajper ne ballkonin e shtëpisë më datë 7 Janar në Vlorë.
Policia e Vlorës arrestoi disa persona në lidhje me ngjarje, por ende nuk ka autorë të dyshuar për vrasjen e Gëzim Sinomatit, i cili është dhe djali i Sokol Sinomatiti, ose si njihet ndryshe “Buzëderrit”.
Kështu pas arrestimit dje, Luçiano Derajt është marrë në pyetje nga policia, por ai nuk është treguar bashkëpunues dhe nuk ka dhënë detaje për origjinën e armëve dhe me çfarë grupesh kriminale ka lidhje.
Dyshohet Deraj bashkëvepronte me disa grupe kriminale në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera. Armët janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë balistike për ekzaminim pasi dyshohet se disa prej tyre të jenë përdorur në disa ngjarje kriminale të kohëve të fundit.
Armët dhe pajisjet e sekuestruara do t’i nënshtrohen një ekspertize teknike, biologjike dhe balistike, për të rënë në gjurmët e personave të tjerë të përfshirë si dhe të verifikohet nëse armët e zjarrit janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Në banesë përveç 35-vjeçarit, jetonin njerka dhe babai, si edhe gjyshërit, të cilët kur janë pyetur nga policia janë shprehur të habitur dhe shokuar, pasi deklaruan se nuk kishin dijeni për ngjarjen.
Jashtë kamerave familjarët shprehen se u tronditën kur panë aq shumë policë në banesë. Ata thonë se djali u arrestua në ambientet e punës dhe më pas u dërgua në banesë me pranga, ku u ushtrua edhe kontrolli i imtësishëm.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo