Bix Aliu, do të jetë i pari ambasador shqiptaro-amerikan i emëruar nga Departamenti i Shtetit në postin e ambasadorit.
Me prejardhje shqiptare, Bix Aliu e tha dje përpara anëtarëve të komitetit të jashtëm të Senatit Amerikan se është i nderuar që do të jetë i pari me origjinë shqiptare që merr statusin e diplomatit të lartë.
Përpara anëtarëve të Komitetit, ai falenderoi në mënyrë të veçantë familjen e tij, dhe emrat shqiptarë jehuan në sallën e kongresmenëve. Përmendi bashkëshorten e tij Nora Ajazi, dy fëmijët Bledin dhe Tean dhe në mënyrë të veçantë dy prindërit e tij, Azemit dhe Shirlit.
“Fëmijët e mi janë bekimi im më i madh dhe jam shumë krenar për qytetarët që ata janë bërë. Askush nga ne nuk do të ishte këtu pa sakrificat e prindërve të mi. Ata ikën nga ish-Jugosllavia duke lënë gjithçka pas, për të lejuar mua dhe motrat e mia të ndjekim një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Të nderuar anëtarë të Komitetit, nëse konfirmohem, do të jem i pari shqiptaro-amerikan në historinë tonë që do të shërbej si ambasador i SHBA, një testament që nëse ju besoni në Zot, ëndërroni dhe punoni shumë, do të keni sukses”, tha Bix Aliu përballë kongresmenëve.
Me një karrierë të pasur diplomatike prej 22 vitesh, Bix Aliu ka shërbyer në detyra të ndryshme në sistemin e diplomacisë amerikane. Ka qenë atashe i shtypit në ambasadën amerikane në Tiranë për shumë vite, por ka qenë diplomat edhe në Emirantet e Bashkuara Arabe, në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Hungari dhe detyrën e fundit në Poloni.
“Nëse konfirmohem do të drejtoj përpjekjet ndërinstitucionale për të angazhuar liderët malazezë për të promovuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të ofruar rezultate të prekshme për qytetarët e tyre në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA” , ka thënë Bix Aliu.
“Do të jem i nderuar të drejtoj misionin tonë në Podgoricë. Vlerësoj mundësinë që mu dha për të folur përpara këtij komiteti” ka vijuar ai .
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo