Nga Mentor Kikia
Një letër për letrën e 144 artistëve për të “shpëtuar” Elia Zaharian! Disa ditë pas një dalldie masive publike, të komenteve dhe analizave, edhe nëpër sudio televizive, mbi fatin e çiftit “mbretëror”, një letër publike firmosur nga 144 njerëz të botës së artit, synon ti japë fund kësaj histerie, duke kërkuar nga AMA që të urdhërojë mediat të fshijnë videon e sherrit në “pallatin mbretëror”.
Pa shumë shpjegime, e mbështes këtë apel! Por dua të sqaroj diçka, jo për ti dalë në krah histerisë, gjithësesi. Elia Zaharia dhe Leka Zogu janë persona publikë, deri dje të thërritur publikisht si Princi dhe Princesha. Kur çifti u martua, media publikoi video dhe foto, ditë me radhë raportoi “lajme” mbi kuzhinierët që do të gatuanin, pjatat e argjendta, bishtin e gjatë të fustanit, parukieret që do të zbukuronin nusen, të ftuarit e rëndësishëm që do të vnin nga familjet fisnike të Europës e më gjerë, etj etj.
Atëkohë, këto lajme, familja mbretërore, padyshim që nuk i kontestoi, madje pagoi edhe kompani PR që ta menaxhonte famën. Une personalisht, atë kohë, shkruajta kundër këtij pompoziteti fals dhe qesharak, pasi tekefundit, nuk përputhet askund me realitetin, pasi ne nuk kemi një familje mbretërore. Sot, kur një martesë dhe një familje, për fat të keq, u prish, media dhe publiku janë sërish po kaq e vëmendshëm për tu ushqyer, tashmë jo me gëzimin, por me dramën e kësaj familjeje. Pra, mund të themi se kjo është kostoja e të qenit i famshëm.
Por sërish unë nuk jam dakord! Ta dalim tek letra e artistëve. Po e them sërish, e mbështes këtë apel. Por, të nderuar artistë, dua të kujtoj se Elia nuk është viktima e parë e kësaj babëzie. Rrjetet sociale, media online e media tradicionale, janë të etura për audiencë dhe në këtë etje ato janë të pamëshirshme. Ato ushqehen me vdekje, me drama, trauma, gezime, dasma, funerale… Elia ishte(është) një person publik, por në makinerinë e pamëshirshme të mediave dhe rrjeteve sociale kanë kaluar gra e vajza që nuk i kishin asnjë kusur publikut.
Për fat të keq, shoqëria sot është shndërruar në një turmë që pret me etje ti hedhin kocka dramash njerëzore. Ajo ushqehet me to, englediset, argëtohet, qesh, mbush barkun e boshllëkut kulturor e artistik. Nuk ka rëndësi, të famshëm apo jo, turma argëtohet me video grash që vetëvriten, burrash që rrihen në pijetore, të sëmurësh mendorë që flasin me vete rrugëve…
E mbani mend letrën e një gruaje të gjorë, e shkruar përçart në kushte traume, para se të vriste veten? S’ka shumë javë. U nda në pjesë, si telenovelat që ndërpriten tek pika kulmore. Gruaja e gjorë tregote tradhëtitë e burrit që e çuan në vetëvrasje dhe linte amanetet për të birin. Media dhe publiku u sollën si një tufë korbash të uritur për kërrma. Pa mëshirë, pa etikë! Ku ishit ju? Ju sot kërkoni të shpëtoni Elian, i shkruani AMA-s, dhe shumë mirë bëni.
Pak ditë më parë, një tufë akademikësh e profesorësh shkruan një letër publike si ju, dhe ata ashtu si ju, i kërkonin AMA-s të mos lejojë “sharlatanët” e shkencës të flasin në televizor. Por, as ata e as ju nuk shkoni tek thelbi i dramës. Ju kërkoni të shpëtoni veten tuaj, por ndërkohë është e sëmurë e tërë shoqëria.
Publiku kërkon dhunë, media i jep dhunë.
Publiku kërkon vrasje, media i jep vrasje.
Publiku kërkon sherr politik, media i jep sherr politik.
Publiku kërkon seks dhe shalë, media i jep seks dhe shalë.
Publiku kërkon drama familjare, e media i jep drama.
Shikoni se cilat janë lajmet më të lexuara nëpër portale. Vrasjet dhe pallavrat janë! Ndërsa lexoja sot letrën tuaj, lexova edhe historinë e një gruaje në Pukë, që e vetme mbante një familje me 6 persona, shumica me probeme të rënda shëndetësore. Nuk pashë ndonjë shqetësim të madh të publikut. Por as tuajin dhe as të akademikëve, kuptohet.
E pra, na takon neve, juve, akademikëve, profesorëve, intelektualëve që të ngrejmë zërin, jo kur zjarri na vjen tek prapanica jonë, por për krizën e madhe morale e sociale të tërë shoqërisë, e bashkë me të edhe të medias. Nuk zgjidhen problemet me fshirje videosh e mbyllje ekranesh nga AMA, por me kontribut të drejtëpërdrejtë, për të kthyer nga rruga e rrokullisjes një shoqëri të tërë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo