ShowBizzz

Të gjithë kemi paragjykime. Dhe ky është problem

Në serinë tonë të artikujve dhe këshillave, në kuadër të projektit TruthHub, jemi përqëndruar shpesh herë në lajmet e rreme dhe rrezikun që ato përbëjnë për shoqërinë. Një nga zgjidhjet e pranuara gjerësisht padyshim që është kontrolli i faktave.

Po a është ai zgjidhja e të gjitha problemeve tona? Aspak!

Si është e mundur? – do të pyesë shumëkush? A nuk do të mjaftonte ballafaqimi i lajmeve të rreme me faktet, për t’i demaskuar ato?

A nuk do të mjaftonte që, kur një prej miqve tanë në Facebook, të postonte një lajm të gënjeshtërt, ne thjesht të vendosnim linkun në një prej faqeve online që bëjnë verifikimin? Dhe me kaq puna jonë të quhej e kryer?

Për fat të keq, gjasat janë që edhe kur miku apo mikja jonë të gjenden përballë një verifikimi të tillë, ata prapëseprapë nuk do të ndryshonin mendje.

Dhe arsyeja për këtë është e vjetër sa vetë bota. Njerëzit kanë paragjykime! Njerëzit nuk janë të paanshëm kur gjykojnë përballë fakteve.

Të gjithë kemi paragjykime, kush më shumë e kush më pak. Disa prej tyre të ngulitura fort në mendje. Në raste të tjera, kemi prirje për të besuar gjëra në mënyrë të paarsyeshme. Nuk u shpëtojmë dot.

E vërteta është që, edhe njeriu më mendjehapur në botë, kur gjendet përballë një informacioni të caktuar, sërish do ta shikojë atë me lenten e vet. Dhe kjo, nga ana tjetër, do të ndikojë shumë në mënyrën se si ai person e interpreton, e beson, apo nuk e beson lajmin. Lentet nuk janë të atypëratyshme. Ato janë krijuar ndër vite. Dhe në krijimin e tyre ka ndikuar e kaluara jonë, feja, vendi ku jemi rritur, identiteti ynë politik, arsimi, eksperienca e jetës, kultura dhe shumë faktorë të tjerë.

Problemi i paragjykimeve apo anshmërisë që kemi në opinionet tona, është se ato kanë një ndikim mbi informacionet të cilëve ne u kushtojmë vëmendje. Ato mund të na shtyjnë që të injorojmë informacione të rëndësishme, apo në të kundërt, të pranojmë në mënyrë automatike gjëra të tjera, vetëm sepse ato konfirmojmë atë që tashmë e besojmë.

Gjithashtu, paragjykimet mund të na shtyjmë që të biem pre e lajmeve të rreme.

Dhe të mendosh që jetojmë në epokën digjitale. Jetojmë në një kohë kur kaq shumë informacione i kemi në majë të gishtërinjve, kur kemi në dispozicion motorrët e kërkimit, të cilët na e sjellin botën në dhomë apo në zyrë. Por, nuk funksionon në këtë mënyrë mendja e njeriut, për fat të keq. Sepse, jetojmë gjithashtu në një kohë kur jeta ka shpejtësi marramendëse. Kur harxhojmë gjithmonë e më shumë kohë online. Dhe ku jemi gjithmonë e më të prirur që të besojmë në opinionet që ekzistojnë tashmë brenda mendjes sonë, duke mos patur kohë të kërkojmë më shumë të vërtetën. Dhe kështu, u besojmë informacioneve që për ne kanë kuptim, për arsye se dakordësohen me atë që e besojmë.

Dhe pikërisht kjo na bën pre të lajmeve të rreme. Sepse kur informacioni që lexojmë i sfidon ato që gjëra në të cilat besojmë, instikti na thotë menjëherë që ky informacion nuk është i vërtetë. Dhe këtë marifet përdorin lajmet e rreme, “për të na e hedhur”: duke mos patur fakte për të na bindur, ato luajnë me emocionet dhe paragjykimet që kemi.

Mediat sociale na kanë shkaktuar një lloj automatizimi. Ne të gjithë kemi prirjen që të miqësohemi me njerëz të cilët bien dakord me ne, dhe të heshtim, të largojmë nga lista e miqve apo të pushojmë së ndjekuri, njerëz që nuk kanë të njëjtat mendime me tonat. Dhe shumë algoritme dhe motorrë kërkimi në Internet shërbejnë për ta përshkallëzuar këtë problem. Kompanitë e Internetit duan që ne të klikojmë sa më shumë mbi linke apo artikuj, sepse kështu ato fitojnë më shumë para. Dhe që ne të klikojmë sa më shumë, na nxjerrim para syve materiale dhe artikuj, që e dinë se ne jemi të prirur t’i lexojmë apo t’i pëlqejmë. Sepse duke na i ofruar gjërat që na pëlqejnë, janë të sigurt se ne do të klikojmë. Dhe krijohet kështu një rreth vicioz, që atyre u rrit klikimet dhe neve na shton paragjykimet. Duke na fotur brenda një fluske informacioni, ku shohim, dëgjojmë dhe lexojmë vetëm gjëra që përputhen me mendimet tona, dhe jo informacione që i sfidojnë ato.

Disonanca konjitive

Eshtë një term i cili nuk është se përdoret shumë në diskutimet tona të përditshme. Eshtë pothuaj shkencor, kjo është arsyeja. Dhe shërben për të shpjeguar një gjendje tonën. Atë gjendjen e një lloj rehatie, apo sikleti mendor që ndjejmë, kur shikojmë se idetë apo pikëpamjet tona personale mbi diçka, nuk përputhen me faktet apo provat që kemi para syve. Eshtë në natyrën njerëzore që të mos na pëlqejë, kur ato që mendojmë rezultojnë jo të vërteta. Eshtë në natyrën tonë që, kur konstatojmë se faktet bien në kundërshtim me mendimet tona ekzistuese, truri fillon menjëherë nga puna për të gjetur një mënyrë që të dyja të përafrohen sa më shumë, gjë që do të na rikthente rehatinë. E kuptojma apo nuk e kuptojmë, e vërteta është se mundohemi shumë për të treguar se kemi të drejtë, edhe kur nuk është kështu.

Nganjëherë u bëjnë interpretime fakteve, sipas pëlqimit tonë. Herë të tjera i injorojmë fare dhe harrojmë ato që mund të vërtetojnë se e kemi gabim. Kur ndeshim pra në diçka që bie ndesh me mendimet tona, truri zgjohet menjëherë dhe thotë: E kanë gabim!

Për ta ilustruar do të shërbente më së miri një ngjarje nga jeta reale. Dikur në mesin e viteve pesëdhjetë, një grua në Illinois me emrin Dorotea, u deklaroi gazetave të qytetit se kishte marrë një mesazh nga jashtëtokësorët, që i quante Rojtarët. Sipas Doroteas, ata i kishin thënë se në 21 dhjetor do të ndodhte një përmbytje që do fshinte krejt Tokën. Por Rojtarët do vinin nga një planet tjetër dhe do e shpëtonin Dorotean dhe të tjerë besimtarë. Në 21 në mbrëmje, një grup njerëzish u mblodhën tek shtëpia e saj dhe prisnin të niste përmbytje e të vinin jashtëtokësorët. Por ata nuk erdhën, as atë natë, as të nesërmen. Dhe këtu hyri në lojë disonanca konjitive. Dorotea dhe grupi i saj mendonin se diçka e kishin bërë gabim, që nuk po vinin jashtëtokësorët. Dikush, fjala vjen, tha se ata nuk merrnin njerëz me metale. Dhe kështu të gjithë hoqën nga trupi bizhuteritë. Jashtëtokësorët nuk erdhën sërish. Dorotea dhe grupi i saj dhanë shumë intervista, ku në secilën shpjegonin nga një arsye të ndryshme pse jashtëtokësorët nuk po vinin dhe as përmbytja e madhe nuk po ndodhte. Natën e Krishtlindjes, Dorotea doli dhe deklaroi solemnisht, se jashtëtokësorët nuk po vinin ngaqë ajo dhe grupi i saj kishin shpërndarë kaq shumë dritë, saqë Zoti e kish falur botën. Pra, nuk kishte më nevojë për shpëtimtarë.

Sigurisht, për shumicën prej nesh kjo është një histori shumë qesharake. Por Dorotea dhe shoqëruesit ishin të bindur se Rojtarët ishin të vërtetë. Asgjë nuk mund t’i bindte për të kundërtën. Disonanca konjitive e kish bërë të vetën.

Paragjykimet negative

Të gjithë ne kemi në rrethin shoqëror a familjar, njerëz që për nga natyra janë pesimistë. Janë ata tipat që e shohin përherë gotën gjysmë bosh. Ajo që nuk dimë është se, të gjithë jemi nga pak pesimistë së brendshmi. Po ta vini re, të gjithë jemi më të prirur të klikojmë mbi një artikull që thotë se bota po merr fund, se sa një artikull që na tregon se punët në botë po ecin shkëlqyeshëm. Duam ta dijmë se s’bën se çfarë gjëje e tmerrshme po na afrohet. Shumë studime kanë treguar se truri ynë është më i prirur të lexojë dhe ndjekë lajme negative, se sa ato pozitive. Jo vetëm kaq. Ne jemi të prirur të kujtojmë më shumë gjëra negative, se sa pozitive. Sikur na “ngjiten” në tru. Mund të harrojmë çfarë hëngrëm dje për darkë, por nuk e kemi harruar se si para disa vitesh, dikush na vuri në lojë. Madje mbajmë mend çdo fjalë që na kanë thënë. E gjithë kjo e ka një shpjegim. Truri i njeriut që në lashtësi është ndërtuar për të mbledhur informacione që na mbrojnë nga rreziku. Truri mendon se duke vepruar kështu na bën gati t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe të pikasim shenjat e telasheve në të ardhmen.

Dhe për t’u kthyer te lajmet e rreme, pikërisht kjo tendencë drejt atyre negative na bën të besojmë lajmet me tituj bombastikë që e nxijnë realitetin.

Paragjykimet konfirmuese

Paragjykimet konfirmuese tregojnë që kemi më shumë gjasa të kërkojmë dhe të pajtohemi me gjykime ose analiza që i përshtaten botëkuptimit tonë sesa çdo gjë që e sfidon atë. Kjo na bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj lajmeve të rreme. Pasi përjetojmë sikletin e disonancës njohëse, menjëherë më pas tek ne hyn në punë paragjykimi konfirmues, që na ndihmon t’i japim shpjegim. (TruthHub – Bota.al)