Poeti i njohur korçar, Ylber Merdani, ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 84-vjeçare. Ditën e sotme poeti Merdani nuk u pa të ecte rrugicave me kalldrëm të qytetit të Korçës, ecje të cilën e bënte çdo ditë ngadalë-ngadalë, aq sa dhe mosha ja lejonte.
Lajmi për vdekjen e tij ka futur në trishtim jo vetëm Korçën, por të gjithë ata që e njohën poetin korçar përmes penës së tij.
Ylber Merdani është pinjoll i një prej familjeve me të njohura qytetare korçare dhe botuesi i një sërë librash me poezi, të cilat paraqesin periudhën e errët të komunizmit dhe burgjeve.
Jeta e Merdanit s’ka qenë aspak e lehtë. Ai së bashku me familjen kanë kaluar një kalvar të gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh për shkak të sistemit komunist.
Që në rini mësuesi Ylber Merdani ka provuar burgosjen politike e më vonë për shumë vite edhe internimin në fshatin Shtyllë të Vithkuqit ku ka gjetur pjesën më të madhe të fisit të tij. Ai aty njohu dhe Shpresën, gruan e jetës, e cila priti për të lidhur martesë me korçarin më të zëshëm Shpresa dhe Ylberi sollën në jetë një vajzë e një djalë.
Mes dhimbjes së kujtesës për atë që ka kaluar, Merdani përmes rreshtave ka treguar më herët atë se çfarë ndodhi me familjen e tij aso kohe.
“Ne na fusnin në ashefkat e kulleirit, në shtëpitë tona rrinte drejtori i burgut. Si tregtare, morën me radhë gjithë burrat e fisit, i kaluan në site, në tortura sa dhe këmbët ja u digjnin nëpër mamgalle me prush që të nxirrnin florinjtë. Sipas dokumenteve, 4.5 kunjtal i morën familjes Merdani. Në vitin 67’ na internuan për herë të parë si familje, unë e motra ishim mësues, vëllai në klasë të tretë gjimnaz, ta them sinqerisht që binim të flinim dhe shikonim në ëndrra furra me bukë se ishim të uritur,” u shpreh poeti në një intervistë të dhënë më herët për Euronews.
Për shkak se shkruante vargje poezish, ai u dënua me disa vite burg ku dhe vuajti dënimin në burgun e Spaçit.
“Unë kam qenë vetëm në Spaç. Pasi bëra dy vite internim në Pulahë të Oparit me burgosen në Spaç të Mirditës, i denoncuar nga një familje dhe jam dënuar me 8 vite burg vetëm për dorëshkrimet e mia të poezive. Mi kapën. Gjithë mllefin, urrejtjen e vuajtjen që ballafaqova me mjerimin, unë i ktheva në frymëzim e në vargje”, ka thënë Merdani.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo