Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë e kanë kritikuar Papa Françeskun më 10 mars, i cili gjatë një interviste sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën.
Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.
Françesku ka sugjeruar, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht më 9 mars, se Ukraina, përballë një disfate të mundshme, duhet ta ketë “guximin” për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valosh “flamurin e bardhë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.
Pas kritikave ndaj papës, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, shpjegoi se, me fjalët e tij për Ukrainën, Françesku pati qëllim të “bëjë thirrje për një armëpushim dhe për kthimin e guximit për bisedime”, dhe se nuk nënkuptoi kapitullim.
/tiranapost