Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së z. David Wisner.
Nikolla përmes një postimi në Facebook ka zbardhur një pjesë të temave dhe se çfarë u diskutua në takim. Sipas Nikollës, diskutuan mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe thellimin e reformave.
“Një takim i ngrohtë dhe i dobishëm me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së z. David Wisner. Diskutuam mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe thellimin e reformave.
Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Z. Wisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët do të vijojnë të mbështesin Shqipërisë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, integrimin euro-atlantik si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit.”
Një çështje shqetësuese është dhe kaosi në seancat plenare këto muajt e fundit dhe përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet.
“Me z. Wisner diskutuam edhe për përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.
Mirëpres vlerësimin e të Ngarkuarit me Punë, z. Ëisner, se parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërisë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.”
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo