Fotografia e parë zyrtare e princeshës së Uellsit, Kate Middleton, qe kur ajo u operua në stomak para dy muajve, u tërhoq nga qarkullimi nga Associated Press dhe disa agjenci të tjera të lajmeve, sepse u zbulua se fotografia ishte e manipuluar. Pallati Kensington e publikoi fotografinë të dielën, pas shumë thashethemeve për vendndodhjen e princeshës, e cila nuk ishte parë në publik prej dhjetorit. Por, përpjekjet për t’u dhënë fund thashethemeve dhe supozimeve mund t’i jenë kthyer ne bumerang Pallatit Kensington, pasi vëzhguesit panë mospërputhje në detajet e fotos.
Princesha e Uellsit Kate kërkoi falje “për pështjellimin e shkaktuar”. Në një deklaratë të publikuar nga Pallati Kensington në rrjetet sociale, Kate tha: “Si çdo fotografe amatore, edhe unë herë pas here eksperimentoj me editimin”. Fotografia u shfaq në kanalet në media sociale të Princit dhe Princeshës së Uellsit në orën 9:00, së bashku me një mesazh nga Kate, e cila uroi Ditën e Nënës, që u festua të dielën në Britani të Madhe.
Në fotografi, Kate dukej shëndoshë e mirë duke qëndruar ulur në një karrige, e rrethuar nga tre fëmijët e saj teksa qeshnin të katërt. Fotografinë e kishte shkrepur bashkëshorit i saj, Princi William, trashëgimtar i fronit, në fillim të javës që shkoi në Windsor. “Faleminderit për urimet e tuaja të këndshme dhe mbështetjen e vazhdueshme në dy muajt e fundit”, thoshte aty Kate.Kjo ngjarje u bë shumë shpejt lajmi kryesor në Britani dhe fotografia mori gati 50 milionë shikime në rrjetin social X deri në fund të asaj dite. Megjithatë, nga studimi i fotografisë u zbulua se ajo kishte mospërputhje, të cilat sugjeruan se ishte ndryshuar, për shembull, dora e majtë e Princeshës Charlotte nuk ishte në një vijë me krahun.
Associated Press dhe agjencitë e tjera, përfshirë Getty, Reuters dhe AFP, vendosën ta heqin fotografinë pasi e analizuan nga afër. Agjencitë kryesore të cilat shpërndajnë fotografi për lajme, e ndalojnë publikimin e fotografive të cilat janë ndryshuar dukshëm. Associated Press tha se standardet e saj redaktoriale e diktojnë që fotografitë të jenë të sakta dhe nuk përdor fotografi të ndryshuara, apo fotografi të manipuluara në mënyrë dixhitale.
bal