Lajme

Alibeaj “konfirmon” negociatat PS-Rithemelim: A po kërkon PS të dështojë Komisionin e Reformës Zgjedhore?

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë ku ka ngritur disa pyetje drejtuar PS në lidhje me takimet e ‘okulte’ siç i quan ai për prishjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Alibeaj përmes pyetjeve në deklaratë kërkon të dijë nëse PS po kërkon ta çoj Reformën Zgjedhore në Komisionin e Ligjeve aty ku ka shumicën dhe ta heq nga Komisioni aktual ku ka veton edhe PD-ja.

Sipas Alibeajt, PS po kërkon të ruajë marrëveshjen e vitit 2008 të bërë me Sali Berishën, rezultat i së cilës është kodi aktual zgjedhor.

Pyetjet e Alibeaj vijnë pasi u konfirmua për mediat një takim në Kuvend mes kryeparlamentares Nikolla dhe Gazment Bardhit, Bledi Çuçi, Mesila Doda dhe Dashamir Shehi, për normalizimin e situatës në parlament. Ky takim do të ripërsëritet edhe ditën e nesërme në ambientet e Kuvendit.

Deklarata e plotë e Alibeajt:

Tre ditë më parë i jam drejtuar Partisë Socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje kryesore: A janë duke kërkuar dështimin e reformës zgjedhore? A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore ku palët janë të barabarta, në kushte barazie dhe të kalojnë më pas në Komisionin e Ligjeve ku Partia Socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të marrë çfarëdolloj iniciative të njëanshme për sa kohë opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga ti bëj të njëjtën thirrje. A po kërkon Partia Socialiste të dështoj Komisionin e Reformës Zgjedhore? A po kërkon ta çoj çështjen në Komisionin e Ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votave opozitare të mund të ndërmarrë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme.

Unë e di, publiku e di në fakt që PS nuk i ka dashur listat e hapura. Partia Socialiste nuk e do votën e diasporës, votën e gjysmës së shqiptarëve jashtë territorit. E di që Partia Socialiste nuk e do që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore, që vota e shqiptarëve në veri a në jug të jetë e barabartë. Sepse do nëpërmjet këtij sistemi të marrë në mënyrë jo të drejtë 6 apo 7 mandate në tavolinë. E di që PS nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj pyetja që unë kam edhe një herë për përfaqësuesit e Partisë Socialiste është, përse nuk i duan listat e hapura? Përse nuk duan t’i japin shqiptarëve të drejtën të zgjedhin ata përfaqësuesit e tyre? Përse duan ta ruajnë me çdo kusht marrëveshjen famëkeqe të 2008-ës. Përse nuk duan që shqiptarët jashtë Shqipërisë të dëbuar nga kjo mazhorancë të mos votojnë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të votohet dhe të numërohet elektronikisht?

Media ka thënë apo ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar. Ndaj ky është një interes publik që Partia Socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Partia Demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi ku debatohen të gjitha alternativat. Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona. Draft-ligji përkatës, listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin-numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor duhet të ketë.

Ndaj një orë e më parë, ku tashmë letrat janë hapur, Partia Socialiste do të duhet ta tregojë. Do ta dështojë Komisionin e Reformës Zgjedhore? Do të bëjë një marrëveshje okulte? Do të bëjë një marrëveshje të njëanshme? Do ta çojë çështjen në Komisionin e Ligjeve? Do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj? Kjo është ajo se çfarë publiku kërkon, zgjedhësi kërkon, Shqipëria kërkon. Ndaj është një përgjigje që duhet dhënë një orë e më parë. Faleminderit!

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo