Gazetari Fatjon Gjinaj ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë të shënuar në Fier, ku për pasojë e një sherri mes disa të rinjve ndërroi jetë një 19-vjeçar.
Gazetari është shprehur se sherri mes të rinjve ka nisur për disa komente ofenduese në Tik Tok, sherr që sot përfundoi në përdorimin e thikave, e për pasojë ndërroi Grei Bihuci 19-vjeç.
“Nga të dhënat e deritanishme viktima ka lënë dy orët e fundit të mësimit. Kanë patur një përplasje verbale që ka agravuar në konflikt fizik. Në vendngjarje kanë qenë disa persona që shoqëronin viktimën dhe autorin Florian Muka. Një prej tyre ka ndërhyrë dhe në tentativë për të parandaluar agravimin e konfliktit është plagosur. Plaga e viktimës ka qenë fatale dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk është mundur të shpëtohet 19-vjeçari.
Mes tyre ka pasur përplasje verbale dhe disa komente ofenduese në TikTok. Gjithçka ka agravuar në përplasje fizike. Në rrethin e njohjeve të djemve ata përshkruhen si djem të qetë dhe jo problematikë, madje frekuentonin rregullisht shkollën”, zbuloi ai për “Open” në News24.
Grei Bihuci mbeti i vdekur këtë të hënë, pasi u qëllua me thikë nga Florjan Muka. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 11:30 të kësaj të hëne në qendër të qytetit të Fierit. Debati mes dy të rinjve agravoi deri në përdorimin e thikës. 18-vjeçari, Florjan Muka qëlloi me thikë 19-vjeçarin i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital.
Grei Bihuci, ishte nxënës në shkollën profesionale “Petro Sota”. I riu ditën e sotme kishte bërë 2 orë mësim dhe ishte larguar nga shkolla. Ndërkohë, mësohet se ai pas shkollës, pasdite punonte si kamarier në një nga pastiçeritë e qytetit të Fierit.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo