Zvarritja e votimit për Amnistinë Penale po mban peng të burgosurit të cilët shpresonin që do të linin qelitë e errëta të burgjeve në vendin tonë. Përplasjet mes deputetëve, të cilët nuk po mund të bien dakord për t’ i dhënë kartonin jeshil amnistisë ka shkaktuar revoltë te mijëra të burgosur të cilët vuajnë dënimin e tyre në burgjet e Shqipërisë.
Pas të burgosurve në burgun e Durrësit, të Rrogozhinës, tashmë edhe të burgosurit e Reçit i janë drejtuar me një peticion ligjvënësve ku kërkojnë lënien anash të hatërmbetjeve politike dhe të arrijnë marrëveshje për miratimin e amnistisë.
“Arsyeja që po të drejtohemi lidhet me miratimin e amnistisë penale, të cilën kemi që në muajin dhjetor të 2023 që po e presim. Ju lutemi: investoni me statusin e opozitës për të arritur miratimin e kësaj amnistie.
Ka 3 vjet që në Republikën e Shqipërisë nuk është bërë Amnisti. Ne të gjithë punimet që kanë bërë palët e interesuara, në formulimin e këtij ligji: “Për dhënie Amnisti”, kemi parë që janë propozuar kritere të ndryshme, por edhe disa kritere janë kundërshtuar. Ne të dënuarit, duke vetëmarrë statusin e palës (së pa pyetur), do të kërkonim që me amendamentin të propozuar nga deputetët e opozitës, të arrihet konsensus që: për të dënuarit të cilët nuk përfitojnë për shkak të mos amnistimit të veprës penale, nga dënimi i mbetur i pavujatur, t’u amnistohet një periudhë 2 vjeçare, e cila sjellë shumë përfitime për shumë të dënuar të tjerë, të cilët krahas të dënuarve që u amnistohet vepra penale, do të mund të lënë qelinë sepse pjesën më të madhe të dënimit e kanë kryer”, thuhet në letrën e 200 të burgosurve të Reçit.
Kujtojmë se më herët edhe të burgosurit të cilët vijojnë të vuajnë dënimin në burgun e Durrësit hartuan një peticion përmes të cilit kërkuan që të miratohet Amnistia Penale në Parlament dhe të mos mbahen peng të qëndrimeve politike.
“Falja dhe amnistia është njerëzore dhe të dënuarit duan që politika mos t’ua çojë dëm këtë mundësi për liri”, shkruhej në peticionin e firmosur nga 46 të burgosur , drejtuar kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentares Lindita Nikolla, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Grupeve Parlamentare.
Kujtojmë se në Kuvend do të votohej projektligji për dhënien e amnistisë, por që në momentin e fundit me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS, Blendi Çuçi ndryshoi rendi i ditës duke hequr këtë projektligj. Çuçi për gazetarët tha se mazhoranca tërhoqi ligjin e amnistisë në respekt të traditës për konsesus.
Nga ana tjetër ministri Ulsi Manja i quajti gënjeshtarë deputetët e opozitës, pasi tha se është thënë qartë se nga kjo amnisti nuk përfitojnë zyrtarët e dënuar për korrupsion.
Që amnistia penale të merrte “ok” nga Kuvendi i duheshin 84 vota, në kohë kur PS ka vetë 74, i duhet që edhe deputetët e opozitës të votojnë pro këtij projektligji. Në një kohë kur Basha deklaroi se nuk do të merrte pjesë në seancë, u “shuajtën” shpresat që ky projektligj të kalonte, pasi dihej se grupi i Bardhit dhe Berishës nuk votojnë propozime që bëhen nga Partia Socialiste.
Kreu i PD, Lulzim Basha, më herët listoi kushtet për të votuar pro Amnistinë Penale. Basha tha se duhet të hiqen propozimet që nga kjo amnisti të përfitojnë zyrtarët që janë arrestuar për korrupsion. Po ashtu Basha tha se kushi i dytë është që të përfitojnë nga amistia protestuesit e 1 tetorit 2018 deri 31 dhejtor 2020.
“Nëse me të vërtetë duan të kenë një përqasje konsensuale ndaj anës humanitarë të amnistisë, rruga është fare e thjeshtë. Hapi i parë, heqja dorë nga propozimet që u futën tinëzisht për të përfituar zyrtarët e korruptuar. Së dyti të futën propozimet e PD për tu përfshirë në amnisti protestuesit.
Është kërkesë e PD, nuk është kërkesë për negocim, nuk është negocim është e domosdoshme. Nuk ka asnjë tërheqje, ta marrin parasysh ata që kanë shumicën e votave, është qëndrimi ynë dhe i pandryshueshëm”, tha Basha.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo