Influenceri kontrovers i mediave sociale, Andrew Tate, dhe vëllai i tij Tristan kanë përfunduar sërish pas hekurave në Rumani, pasi autoritetet atje kanë zbatuar një urdhërarrest, të lëshuar nga Britania e Madhe për dyshen në fjalë.
Vëllezërit u arrestuan, mbrëmjen e së hënës dhe akuzohen për agresion seksual, me rastet e përmendura në dosjen hetimore që datojnë në periudhën midis 2012 dhe 2015. Atyre iu dorëzua një urdhërarrest i lëshuar nga Gjykata e Magjistraturës Westminster.
Dyshja mohojnë të gjitha akuzat kundër tyre, ndërsa përfaqësuesit ligjorë thanë se ishin “plotësisht të përkushtuar, për të rrëzuar këto akuza me vendosmëri të palëkundur”.
Vëllezërit Tate po përballen me akuza për përdhunim dhe trafikim njerëzor edhe në Rumani. Ata qëndruan për një kohë të gjatë në burg e më vonë në arrest shtëpie, pasi u ndaluan në dhjetor 2022.
Ata u akuzuan, së bashku me dy gra rumune, që akuzohen si pjesë e grupit të dyshuar të krimit të organizuar.
Pretendohet se dy vëllezërit dhe dy gra rumune formuan një grup në vitin 2021, për të kryer trafikim njerëzor në Rumani dhe vende të tjera, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Tate ia doli që në gusht 2023 të lirohej nga arresti shtëpiak, ndërsa vëllezërve iu lejua të udhëtonin kudo brenda Rumanisë, por nuk mund të largoheshin nga vendi.
Në janar, një gjykatë rumune anuloi gjithashtu një vendim për sekuestrimin e aseteve të Tate, me 37-vjeçarin që mori mbrapsht supermakinat e tij, pronat dhe orët e shtrenjta.
ks