Ditën e djeshme Policia e Shtetit njoftoi dhe publikoi pamjet e ekstradimit të parë nga Dubai. Bruno Çobo ishte personi i shpallur në kërkim nga autoritet shqiptare i cili prej kohesh qendronte në Dubai.
Këtë të mërkurë, togat e zeza i komunikuan masën e “Arrestit në burg” që ishte marrë në mungesë, sa i takon përfshirjes së tij në rrjetin kriminal të mashtrimeve me vlerë 4.7 milion euro ndaj shtetasve italian përmes platformave të call-center-ave.
Në sallën e gjyqit Çobo ka dhënë dëshminë e tij dhe tregon se ardhja e tij në Tiranë ishte me dëshirën dhe kërkesën e tij dhe se nuk është arritur asnjë marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve.
“Erdha me këmbët e mia në Shqipëri. Nuk më ka shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait”, – ka deklaruar Çobo në sallën e gjyqit.
Në sallën e gjyqit, Çobo hodhi poshtë deklarimet se ishte ekstraduar përmes procedurës së thjeshtuar, por që ka udhëtuar i vetëm me vendimin për t’u vetëdorëzuar.
“Erdha me këmbët e mia në Shqipëri. Nuk më ka shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait. Erdha në Rinas dhe në pikën e kalimit, iu komunikova se kush jam dhe cili ishte qëllimi i ardhjes time. U njoftuan shërbimet dhe më shoqëruan. Madje më ngjitën në avion edhe njëherë”. – deklaroi Bruno Çobo.
Burime për mediat tregojnë se Bruno Çobo i ka dërguar nëpërmjet postës Zyrës së Interpol Tirana një kërkesë ku i kërkon që të vetëdorëzohet e t’i krijohen kushtet për tu kthyer në Shqipëri.
Ditën e djeshme, e mërkurë Policia e Shtetit njoftoi se autoritetet shqipëtare kryen ekstradimin e parë të një shtetasi të kërkuar, nga Dubai.
Ky shtetas ishte Bruno Çobon, një 28 vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call centeri.
Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4.700.000 euro nga skema e mashtrimit.
28 vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
28 vjeçari akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo