Zvarritja e votimit për Amnistinë Penale po bën që të burgosurit nga të gjitha burgjet e vendit, t’i dërgojnë letër politikanëve duke u kërkuar që të miratojnë në Kuvend ligjin për Amnistinë.
Pas të burgosurve në burgun e Durrësit, të Rrogozhinës, Reçit, tashmë edhe të burgosurit e Drenovës i kanë dërguar një letër kryetarit të grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi dhe kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Ata me anë të një peticioni drejtuar politikanëve kërkojnë që në Amnistinë Penale të përfshihen një pjesë e të dënuarve nga GJKKO, por që e kanë kryer shumicën e dënimit.
“Jemi një grup të dënuarish nga GJKKO në burgun e Drenovës. Marrë shkas nga zhvillimet e fundit dhe diskutimet lidhur me draftin e Amnistinë Penale, i cili për ne është diskriminues me përjashtimin që na bëhet jemi të indinjuar nga trajtimi që po na bëhet. Përveç diskriminimit, paragjykimit, padrejtësisë që na bëhet nga gjykata e rretheve, sepse na përndjek vendimi që kemi marrë nga GJKKO. Kjo përndjekje dhe paragjykim na bëhet në çdo seancë gjyqësore që zhvillojmë për të përfituar benefite që na i jep ligji si: ulje dënimi, ulje të masës së sigurisë, lirimi me kusht, lejet të posaçme.
Me përjashtimin nga amnistia po na duket vetja si gjyshërit tanë që vuajtën propagandën. Nuk mund të trajtohemi si leprozë, ka ikur koha e luftës së klasave. Duam të trajtohemi si të gjithë. Ligji është i barabartë për të gjithë. Përjashtimi jonë është antikushtetues”, thuhet ndër të tjera në letër.
Sakaq, personat që kanë bërë këtë peticion janë të dënuar për pastrim parash, trafikim droge dhe kultivim i bimëve narkotike nga GJKKO.
Letra e të dënuarve
Kujtojmë se në Kuvend do të votohej projektligji për dhënien e amnistisë, por që në momentin e fundit me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS, Blendi Çuçi ndryshoi rendi i ditës duke hequr këtë projektligj. Çuçi për gazetarët tha se mazhoranca tërhoqi ligjin e amnistisë në respekt të traditës për konsesus.
Nga ana tjetër ministri Ulsi Manja i quajti gënjeshtarë deputetët e opozitës, pasi tha se është thënë qartë se nga kjo amnisti nuk përfitojnë zyrtarët e dënuar për korrupsion.
Që amnistia penale të merrte “ok” nga Kuvendi i duheshin 84 vota, në kohë kur PS ka vetë 74, i duhet që edhe deputetët e opozitës të votojnë pro këtij projektligji. Në një kohë kur Basha deklaroi se nuk do të merrte pjesë në seancë, u “shuajtën” shpresat që ky projektligj të kalonte, pasi dihej se grupi i Bardhit dhe Berishës nuk votojnë propozime që bëhen nga Partia Socialiste.
Kreu i PD, Lulzim Basha, më herët listoi kushtet për të votuar pro Amnistinë Penale. Basha tha se duhet të hiqen propozimet që nga kjo amnisti të përfitojnë zyrtarët që janë arrestuar për korrupsion. Po ashtu Basha tha se kushi i dytë është që të përfitojnë nga amistia protestuesit e 1 tetorit 2018 deri 31 dhejtor 2020.
“Nëse me të vërtetë duan të kenë një përqasje konsensuale ndaj anës humanitarë të amnistisë, rruga është fare e thjeshtë. Hapi i parë, heqja dorë nga propozimet që u futën tinëzisht për të përfituar zyrtarët e korruptuar. Së dyti të futën propozimet e PD për tu përfshirë në amnisti protestuesit.
Është kërkesë e PD, nuk është kërkesë për negocim, nuk është negocim është e domosdoshme. Nuk ka asnjë tërheqje, ta marrin parasysh ata që kanë shumicën e votave, është qëndrimi ynë dhe i pandryshueshëm”, tha Basha.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo