“One Explorer” rezulton se është kompania që ka përfituar rreth 650.000 euro nga dy llogari të ndryshme të inceneratorit të Tiranës, për bileta udhëtimi për zyrtarët e shtetit të lidhur me pronarët de fakto dhe de juro të djegësit të kryeqytetit, i cili në fakt nuk ekziston.
Kjo kompani rezulton se nga vitit 2018 deri në vitin 2021 ka marrë 650 mijë euro nga llogaritë e inceneratorit të Tiranës,, për bileta udhëtimi që janë prerë nga shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dy të akuzuar dhe në kërkim ndërkombëtar si pronarë të inceneratorëve.
“Grupi i ekspertëve në PD është duke hetuar të gjitha pagesat që i janë bërë një kompanie udhëtimi e quajtur “One Explorer”, nga viti 2018-2021 dhe rezulton se ka marrë 650 mijë euro nga dy llogari të ndryshme të inceneratorit të Tiranës, ku aty dalin të gjitha udhëtimet e zyrtarëve të shtetit të lidhur me bandën që ka drejtuar aferën e inceneratorit të Tiranës”, denoncoi sot në Euronews politikani Belind Këlliçi.
Kush është “One Explorer”
Newsbomb.al ka shkuar përtej denoncimit të politikanit demokrat Belind Këlliçi dhe ka zbuluar se kompania në fjalë është themeluar më datë 7 janar 2016 nga shtetësja Rahela Drazhi dhe vetëm katër muaj më pas, në 25 Maj 2016, i është dhuruar shtetases Desara Gropçaj.
“Depozitimi i vendimit te ortakut te vetem, date 20.05.2016 ku eshte vendosur: Miratimi i dhurimit te 100% te kuotave te kapitalit nga Znj.Rahela Drazhi ne favor te Znj.Desara Gropçaj. Depozitimi i vendimit te ortakut te vetem, date 20.05.2016 ku eshte vendosur: Largimi nga detyra e administratorit te shoqerise Znj.Rahela Drazhi dhe emerimin ne vend te saj te Znj.Desara Gropçaj. Depozitimi i kontrates se dhurimit , date 20.05.2016”, thuhet në vendimin e Asamblesë.
Është e pakuptueshme sesi një kompani e sapo krijuar i dhurohet një shtetaseje tjetër, në vlerën e 100% të aksioneve. Parimisht, ky është një veprim i rregullt ligjor, por logjikisht është i pakonceptueshëm. Megjithatë kjo nuk është çudia e vetme.
Ajo që ka ndodhur me pronësinë e kompanisë “One Explorer” në vitet në vazhdim është edhe më e habitshme.
Desara Gropçaj sapo merr pronësinë dhe administrimin e kompanisë, ndryshon objektin e veprimtarisë dhe shton “Agjenci Turistike dhe Biletari. Kembim Valutor .Veprimtari per transferte parash…”. Dy vite më pas, më 9 Gusht 2018 Asambleja e Ortakëve vendos që të largojë Desara Gropçaj si administratore dhe të emërojë shtetasin Juventin Cere.
Në këtë periudhë nisin dhe pagesat nga inceneratori i Tiranës për kompaninë “One Explorer”, për udhëtime jashtë vendit të zyrtarëve të lartë të shtetit.
Një vit pasi Asambleja i dha postin e administratorit shtetasit Juventin Cere, rikthehet përsëri pronarja Desara Gropçaj, për periudhën nga data 15.04.2019 deri në datën 15.04.2024. Puna e kompanisë vijonte dhe të ardhurat rriteshin. Në këtë moment ndodh përsëri një tjetër rotacion.
Një muaj pasi u rikthye si administratore, më 3 Qershor 2019 administrimin e kompanisë e merr Juventin Cere dhe largohet Desara Gropçaj. Megjithatë, edhe përse nuk ishte me administratore kjo shtetase vijonte të kishte pronësinë dhe totali i kapitalit të “One Explorer” ishte mbi 100 milionë lekë.
Më 22 Dhjetor 2021, periudhë që përkon me fundin e udhëtimeve që janë paguar nga pronarët e inceneratorëve për zyrtarët e shtetit, biletat e të cilëve ishin prerë pranë kompanisë që sot denoncoi Belind Këlliçi, Desara Gropçaj vendos t’i dhurojë 100% kuotat e veta të aksioneve shtetasit Juventin Cere.
Referuar pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2021, të ardhurat e kompanisë “One Explorer” rezultojnë mbi 870 milionë lekë. Por pavarësisht se kishte një buxhet të konsiderueshëm, rreth 1 miliardë lekë, Desara Gropçaj vendos që t;ia dhurojë atë pa asgjë në këmbim shtetasit Juventin Cere.
Kompania ka status aktiv dhe aktualisht është në pronësi të Juventin Ceres.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo