Kryetari i Grupit Parlamentar të PD në Kuvend dhe njëkohësisht përfaqësuesi i Rithemelimit, Gazment Bardhi është shprehur këtë të enjte se nëse nuk ka dakordësi me mazhorancën për ato pika që janë negociuar në Konferencën e Kryetarëve, ata do i rikthehen aksionit opozitar.
“Nëse nuk bihet dakord në Konferencën e Kryetarëve që të miratohen komisionet hetimore, pjesëmarrja e opozitës në reforma dhe ligjet që kërkojnë ¾, si dhe marrja e propozimeve të opozitës për ligje dhe nisma që kanë 2 vjet që flenë në sirtarët e kuvendit, padiskutim që do të vijojë aksioni i opozitës në Kuvend.
Nuk ka asnjë tërheqje nga aksioni dhe nga 3 kërkesat tona. A mund të shtojmë ne kërkesa? Patjetër që po. Mund të ndiqet edhe strategjia që për shkaqe politike ne nuk e njohim Ramën për kryeministër”, është shprehur Bardhi në Syri Tv.
Ai ka mohuar dhe lajmet e dala në media se ëhstë takaur veçmas dhe “fshehurazi” me kreun e Grupit të PS, Bledi Çuçi. “Nuk kam pasur takim me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, atë e kam takuar të martën në Konferencën e Kryetarëve”, sqaroi ai.
Nga diskutimi mes palëve në Konferencën e Kryetarëve është dakordësuar paraprakisht që opozita të marrë dy komisione hetimore, atë për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe koncesionet në fushën e shëndetësisë, si dhe pjesëmarrje të barabartë në një strukturë të posaçme që do të përshpejtojë procesin e kalimit të ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave.
Për këtë, politikani demokrat i ka bërë “presion” këtë të enjte mazhorancës duke treguar se nëse nuk pranohet dakordësia e negociuar gjatë kësaj jave që po mbyllet, atëherë ata do të rikthehen te aksioni opozitar, duke shuar shpresat për normalitet të jetës parlamentare.
“Nëse nuk ka vendimmarrje të dakordësuar të Konferencës së Kryetarëve për të treja aktet që kemi rënë dakord nuk ka tërheqje nga aksioni i opozitës. Unë kam shprehur publikisht që grupi parlament i PD-së i qëndron dakordësisë në parim që kemi rënë në konferencë”, ka përmbyllur Gazment Bardhi.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo