Lajme

SPAK heton bashkitë për tokat bujqësore, dënohet me burg ish-kryetari i Rrogozhinës

Ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Ndriçim Dushku raportohet se është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Posaçme, për skemën e dhënies së tokave bujqësore me qira për 99 vite. Dushku është dënuar në Dhjetor 2023 dhe burgu i është konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.

Gazetarja Anila Hoxha raportoi ekskluzivisht në “Top Story” rastin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës dhe tha se ai është mbajtur larg vëmendjes së publikut. Bashkë me Ndriçim Dushkun janë shpallur fajtor dhe tre zyrtarë të tjerë të tjerë të kësaj bashkie.

“Ai u hetua për dhënien me qira të tokave bujqësore. Bëhet fjalë për skemën 99 vite. Ka edhe shtetas që kanë firmosur, janë marrë në pyetje dhe hetimi ka provuar fajësinë. Kjo ka ndodhur në vitin 2013, kur ishte kryetar i bashkisë Rrogozhinë. Për këtë arsye, gjykata e ka dënuar me 1 vit burg, që është konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove”, u shpreh Anila Hoxha.

Prokuroria e Posaçme i ka shtrirë hetimet për këtë skemë edhe për bashki të tjera të vendit, ku po bëhen verifikime se cilët janë personat që kanë përfituar, a i kanë përmbushur kushtet dhe çfarë dokumentacioni kanë dorëzuar pranë zyrave përkatëse.

“Skema e dhënies me qira të tokës bujqësore për 99 vite përdoret në të gjithë vendin. Por ka dyshime dhe po kryhen hetime dhe në bashki të tjera, me dyshimin se u janë dhënë personave në mënyrë të padrejtë, duke plotësuar dosje fiktive. Kanë mbjellë kultura të ndryshme, por e kanë marrë pa asnjë praktikë dokumentare”, tha gazetarja Anila Hoxha.

Ish-kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Ndriçim Dushku u kallëzua penalisht në prokurori në vitin 2018, pas përfundimit të auditimit të realizuar në vitet 2016-2017 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili tha se konstatoi një dëm ekonomik prej 24.5 milionë lekësh dhe tjetërsim të paligjshëm të pronës shtetërore për një sipërfaqe prej 27.6 hektarësh.

Në padi thuhej se gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e dhënies me qira të tokave shtetërore të pandara.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar atëkohë se dhënia me qira është bërë në kushtet kur mungonte dokumentacioni në lidhje me vendimin për klasifikimin dhe pikët e kërkesës të shqyrtuara së bashku me arsyetimet përkatëse, si dhe në mungesë të shpalljes të vendimit dhe njoftimi i subjektit përkatës.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo