Lajme

Senatori i lartë i SHBA: Izraeli të shkojë në zgjedhje, Netanyahu pengesë për paqen

Udhëheqësi i shumicës në Senatin Amerikan, Chuck Schumer i bëri thirrje të enjten Izraelit të mbajë zgjedhje të reja, duke thënë se ai beson se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka “humbur rrugën” dhe është një pengesë për paqen në rajon mes një krize humanitare në rritje në Gaza.

Schumer, udhëheqësi i parë i shumicës në Senat me origjinë hebreje dhe zyrtari më i lartë hebre në SHBA, kritikoi ashpër Netanyahun në një fjalim 40-minutësh.

Ai tha se kryeministri e ka vendosur veten në një koalicion të ekstremistëve të djathtë dhe “si rezultat, ai ka qenë shumë i gatshëm të tolerojë numrin e civilëve (të vrarë) në Gaza, i cili po e çon mbështetjen për Izraelin në mbarë botën në nivelet më të ulëta historike”.

Paralajmërimi i nivelit të lartë vjen pasi një numër në rritje i demokratëve janë kthyer kundër Izraelit dhe ndërsa presidenti Joe Biden ka rritur presionin publik mbi qeverinë e Netanyahut, duke argumentuar se ai duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje numrit të vdekjeve civile në Gaza në mes të bombardimeve izraelite. SHBA këtë muaj filloi dërgimin e ndihmave humanitare.

Chuck Schumer është një politikan amerikan që shërben si Udhëheqës i shumicës së Senatit që nga viti 2021 dhe senator i lartë i Shteteve të Bashkuara nga Nju Jorku që nga viti 1999. Anëtar i Partisë Demokratike, Schumer është në mandatin e tij të pestë në Senat, duke e bërë atë senatorin më jetëgjatë amerikan nga Nju Jorku.

Ai deri më tani e ka pozicionuar veten si një aleat i fortë i qeverisë izraelite, duke vizituar vendin vetëm disa ditë pas sulmit brutal të 7 tetorit nga Hamasi dhe duke mbajtur një fjalim të gjatë në katin e Senatit në dhjetor duke denoncuar “antisemitizmin e pacipë”.

Por senatori i lartë amerikan ka thënë këtë të enjte në senat se “populli izraelit po mbytet pikërisht tani nga një vizion qeverisës që ka ngecur në të kaluarën”.

Chuck Schumer shprehet se kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili ka kundërshtuar prej kohësh shtetësinë palestineze, është një nga disa pengesat në rrugën e zgjidhjes me dy shtete të shtyrë nga Shtetet e Bashkuara. Netanyahu “ka humbur rrugën e tij duke lejuar që mbijetesa e tij politike të ketë përparësi mbi interesat më të mira të Izraelit”, tha Schumer.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo