Kryeprokurori i SPAK është shprehur këtë të premte se institucionet shtetërore janë “vetë-izoluar” duke referuar zero kallëzime për korrupsion. Altin Dumani ka shënjestruar direkt Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe atë të Doganave.
“Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?!”, është shprehur kreu i SPAK gjatë një takimi në “IDM Morning Briefing”. Megjithatë, ai ka theksuar se një “partner” i Prokurorisë së Posaçme ka qenë dhe media, pasi janë regjistruar shumë procedime penale nga denonimet publike që janë bërë.
Lexo edhe: Kush e kërcënoi prokurorin e SPAK?! Basha: Deklarata e Dumanit, kambanë alarmi
“Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?! Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin.
Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet.
Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbil-fryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë”, është shprehur kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Gjatë këtij takimi, ai ka treguar se familja e një prokurori të SPAK është kërcënuar nga elementë të krimit të organizuar. Megjithatë, vetë kryeprokurori nuk ka dhënë detaje të tjera se kush e ka kërcënuar prokurorin e institucionit më të rëndësishëm e më të fuqishëm të akuzës në vend. Altin Dumani është shprehur se pavarësisht kërcënimeve, njerëzit e drejtësisë janë të përgatitur për këto situata.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi , sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, mësohet të ketë thënë Dumani.
Sakaq, i pyetur nga pjesëmarrësit në këtë takim se deri ku do të shkojë SPAK në hetimet për zyrtarët e larë, ai u përgjigj shprehimisht: “Nuk do kursejmë askënd”, duke theksuar kështu se SPAK po vijon punën për hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo