Lajme

“Dikush e ka tradhtuar”, gazetarja për vrasjen e Bejtjas: Në zonë u fikën dritat

Gazetarja Klodiana Lala ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Fushë-Krujë, ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gentian Bejtja.

Gazetarja është shprehur se dyshohet se dikush e ka tradhtuar Bejtjan, pasi vetëm kështu mund të shpjegohet sesi Bejtja u vra vetëm pak minuta pasi mbërriti në shtëpinë e tij. Gentian Bejtjaj u ruhej si grupeve kriminele pasi u kishte shpëtuar 3 atentateve të mëparshme, ashtu edhe policisë, e cila ishte në kërkim të tij prek korrikut të 2023.

Gazetarja ndër të tjera është shprehur se pak para se të ndodhet atentati, autorët kanë fikur dritat në zonë, që kamerat e sigurisë mos të siguronin lëvizjet e tyre gjatë apo edhe pas krimit.

“Sipas dëshmitarëve okularë, dyshohet se dy kanë qëlluar, ndërsa dy nuk kanë vepruar. Njëri ka qëndruar në makinë për t’u përgjigjur nëse do të kishte kundërsulm.

Në një pjesë të mirë të kohës para se të ekzekutohej, nuk ka patur drita në të gjithë zonën. Hyrje daljet, lëvizjet e autorëve, nuk janë regjistruar. Mbase kanë bashkëpunuar për të fikur dritat.

Që nga moment i atentatit të 4 korrikut 2023 deri më tani ka qenë në kërkim nga policia për të dhënë deklarime, dhe ai nuk qëndronte në shtëpi. Ai fshihej në një bazë të një grupi kriminal shumë të njohur në Lezhë. Në Nikël ishte shumë i kujdesshëm dhe fakti që autorët kanë shkuar pikërisht kur ai arriti në pragun e derës, tregon se dikush e ka tradhtuar atë.

Mendoj se ai ishte një person që u vra për t’i mbyllur gojën sepse ishte person që ndërthurte shumë ngjarje kriminale”, tha Lala për “Kjo Javë” në News24.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo