Lajme

Artan Hajredinaj e Gentian Hamiti, vettingu konfirmon gjyqtarët e Lezhës dhe Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli këtë të martë vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin.

Ndërkohë, trupa vendosi të transferojë për verifikim në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dy çështje të gjykuara nga Hajredinaj.

Gjatë seancës së parë dëgjimore më 12 mars, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të gjyqtarit Artan Hajredinaj në krijimin e pasurive e mbulimin e shepnzimeve dhe ngriti dyshime se mund të ketë fshehur një apartament. Po ashtu, u konstatua ndër të tjera se duket se ka favorizuar një person të kërkuar për ekstradim nga shteti italian e ka cënuar etikën.

Këto gjetje dhe të tjera konstatime u kundërshtuan nga subjekti, i cili në përfundim kërkoi konfirmimin në detyrë.

Artan Hajredinaj ka punuar fillimisht si noter, përpara se të emërohej gjyqtar në vitin 2007. Ai ka punuar në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë tetë viteve të fundit e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Gjyqtari Artan Hajredinaj. Foto: BIRN
Gjyqtari Artan Hajredinaj. Foto: BIRN

Gjithashtu, këtë të martë më 19 Mars Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Tiranës, Gentian Hamiti. Vendimi për konfirmimin e Hamitit u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Firdes Shulin.

Gjatë seancës së parë dëgjimore më 13 mars, gjyqtari Hamiti dha shpjegime për konstatimet në të tre kriteret, atë të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.

Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, Gentian Hamiti kreu stazhin në Gjykatën e Fierit në vitin 2007 ku dhe punoi deri në 2013-ën, kur u emërua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Aktualisht është deleguar pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Gjyqtari Gentjan Hamiti. Foto: BIRN
Gjyqtari Gentjan Hamiti. Foto: BIRN

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo