Lajme

Vula e PD në Gjykatën e Apelit, caktohen 3 gjyqtaret që do shqyrtojnë çështjen

Janë caktuar 3 gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen e Vulës së PD në Gjykatën e Apelit. Relatore e çështjes është zgjedhur Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Kujtojmë se një ditë më parë Gjykata e Lartë zbardhi të plotë vendimin që ka marrë për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën e Partisë Demokratike, e cila do të gjykohet nga një trup tjetër gjyqësore, konkretisht nga Alma Ahmeti si kryesuese, Iliba Bezati dhe Elona Toro si anëtare.

Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”, – njofton Gjykata e Lartë.

“Kolegji vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim PDSH përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe ligjore nga ato që parashikon neni 472 i KPC dhe për këtë arsye, vendimi i dhënë nga gjykata e Apelit duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim pranë kësaj gjykate me një tjetër trupë gjykuese” thotë vendimi i Gjykatës së Lartë që merr në shqyrtim faktin se kujt i përket vula e PD.

Vendimi i dhënë nga Apeli është një vendim jopërfundimtar pasi nuk i ka dhënë zgjidhje në themel mosmarëveshjes objekt shqyrtimi, fakt i cili, e vë Gjykatën e Lartë si një gjykatë ligji, në pamundësi për ta zgjidhur këtë cështje në themel të saj, pasi nuk është garantuar zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit. Gjithashtu, në kushtet kur për identifikimin dhe shqyrtimin e drejtë të kësaj çështjeje, kërkohet që të shtrihet shqyrtimi gjyqësor si dhe të kryhet vlerësimi i fakteve, rrethanave dhe provave të administruara në dosje, çështje të cilat janë jashtë juridiksionit rishikues të gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, Kolegji, brenda kufijve të tij të gjykimit, e ka kufizuar shqyrtimin gjyqësor të kësaj çështjeje në drejtim të identifikimit të gabimeve që ka lejuar gjykata e Apelit në drejtim të gjykimit, hetimit të paplotë dhe interpretimit të gabuar të normave proceduriale që ka lejuar gjykata e Apelit, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjes”, shkruhet në vendimin e gjykatës për vendimin e Apelit që i linte vulën Lulzim Bashës si PD zyrtare.

Gjykata e Lartë thotë se Gjykata e Apelit i ka të gjitha mundësitë për të marrë dhe administruar provat, dhe për të dhënë një zgjidhje përfundimtare të kësaj mosmarrëveshjeje. Bëhet fjalë për të hedhur poshtë vendimin e marsit 2023. Tani që ka kaluar një vit që kjo çështje endet dyerve të Gjykatave, dhe duke e konsideruar këtë si një kohë që rikthimi për gjykim do ta kërkojë sërish, duket se me gjasë Rithemelimi, edhe pse mund të ketë të drejtë në fund (ose jo) nuk do të arrijë kohën për tu organizuar për zgjedhjet e vitit 2025.

VENDIMI-PARTIA-DEMOKRATIKE by Newsbomb Albania on Scribd

Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën dhe logon e Partisë Demokratike grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha. Në këto kushte, vula dhe logo e demokratëve vazhdon të mbetet “pa Zot”.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Kolegji konstatoi se, Gjykata e Apelit nuk i kishte dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht kishte marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishin çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Ndaj në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi: “Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese.”

Lexo edhe: Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit, i heq vulën nga dora Lulzim Bashës

N J O F T I M  P Ë R  M E D I A N

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo