Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimeve të GJKKO dhe të gjykatës së Apelit. Sipas Kushtetueses përderisa arrestimi i Belerit është i ligjshëm, nuk i është cenuar e drejta për t’u zgjedhur. Fredi Beleri kërkoi të betohet si kryebashkiak dhe shfuqizimin e 3 vendimeve të Gjykatave, gjë që nuk u mundësua.
“Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri,” thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë
Në datën 28.09.2023 në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, i cili ka kërkuar shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të vendimeve nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë; nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin vendosur ndaj kërkuesit masën e sigurimit personal “Arresti në burg” në pritje të gjykimit të tij për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.
Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës “Arresti në burg”. Për këtë arsye, ai ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës, i dalë fitues nga zgjedhjet vendore të vitit 2023, për rrjedhojë në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar. Sipas kërkuesit, masa e sigurimit personal e vendosur nga gjykatat nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, interesin publik që kërkohet të mbrohet dhe gjendjen që e ka shkaktuar, pasi vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet. Ai ka pretenduar edhe cenimin e parimin të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë që ndodhen në të njëjtën gjendje, duke iu referuar rastit të një shtetasi tjetër, i akuzuar për kryerjen e të njëjtës vepër penale. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak se gjykatat kanë rënduar pozitën e tij si i pandehur duke shtuar argumentet e prokurorisë dhe përforcuar arsyetimin për masën e sigurimit “Arresti në burg” në gjykimin në apel.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13.10.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, në datën 23.10.2023, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.
Gjykata, e mbledhur sot, në datën 21.03.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës për këto arsye:
· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk legjitimohet.
· Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
· Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për t’u zgjedhur, Gjykata konstatoi se kjo e drejtë shtrihet jo vetëm mbi të drejtën për të kandiduar por edhe mbi të drejtën për të ushtruar funksionin publik të besuar nga zgjedhësit. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Sidoqoftë, duke qënë se Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të zotit Beleri është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, ajo (Gjykata), me shumicë votash, nuk gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.
· Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës së zotit Beleri si i pandehur si rezultat i shtimit të argumenteve për justifikimin e masës së sigurimit “Arresti në burg” nga GJKKO-ja e Apelit, Gjykata vlerësoi se përforcimi i arsyetimit nga gjykata më e lartë, përsa kohë ajo (gjykata më e lartë) nuk rëndon masën e sigurimit në ngarkim të të pandehurit, nuk përbën rëndim të pozitës së tij. Prandaj Gjykata, njëzëri, nuk gjeti cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë në rastin e zotit Beleri.
Pak kohë më parë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën 2 vite burg për kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. GJKKO vendosi mos zbatimin e masës së kërkuar nga SPAK, me 2.6 vite burg ndaj Belerit.
“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë për sa kohë i duhet Edi Ramës”, tha Beleri. Ndër të tjera, kryetari i zgjedhur për Bashkinë e Himarës hodhi akuza të forta drejt prokurorisë duke thënë se kanë sajuar provat kundër tij dhe është treguar njëanshmëri në gjykim.
“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë. Më ka bërë presion. SPAK kërkon të më dënojë përsa kohë i duhet Edi Ramës. Sajesa qesharake të pabazuara. Ky hetim tregon si manipulohet procesi gjyqësor. Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh nga trupa e gjykimit. Dosja nuk ka fakte, ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë.
Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë. Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove.
Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera kryetari i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri.
Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, ndërsa 2 vite për Pandeli Kokaveshin të cilat t’i konvertoheshin në 4 vite shërbim prove. Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.
Fredi Beleri ra në pranga më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe bashkëpuntori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës. Nga hetimet e kryera u mësua se një agjent i infiltruar i Policisë ka përgjuar pazaret që Beleri ka bërë me persona pranë shtabit të tij.
Pavarësisht se ndodhet në qeli Beleri arriti të merrte më shumë vota se kandidati i socialistëve Jorgo Goro, duke u mandatuar nga KQZ si kryetari i Bashkisë së Himarrës. Mirëpo, ende nuk i është lejuar që të betohet. Theksojmë se çështja “Beleri”, mos lejimi i tij për t’ u betuar ka shkaktuar tensione me fqinjët. Që prej aso kohe kur kryebashkiaku i Himarës ra në pranga, pala greke ka ashpërsuar tonet ndaj vendit tonë. Në dhjetëra deklarata Athina zyrtare ka theksuar se nëse Shqipëria pengon Belerin të marrë detyrën, do të ketë pasoja lidhur me procesit të anëtarësimit. Ndër të tjera, ata janë shprehur se arrestimi i Belerit një ditë para votimeve, interpretohet si frikësimi votuesve, dhe se mbajtja në burgosje është një shkelje e procesit të rregullt ligjor.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo