Bota

OKB i kërkon BE-së të shmangë “standardet e dyfishta” rreth Gazës dhe Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i OKB u ka kërkuar liderëve të Bashkimit Evropian ta respektojnë ligjin ndërkombëtar në Rripin e Gazës ashtu siç e respektojnë në Ukrainë, pasi qindra mijëra palestinezë janë duke u përballur me mungesë të skajshme ushqimi dhe mbase me urie absolute.

Në një samit të BE-së në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, iu lut liderëve të jenë të bashkuar dhe të fortë për t’i respektuar standardet e mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në ligjin ndërkombëtar.

“Parimi thelbësor i ligjit ndërkombëtar humanitar është mbrojtja e civilëve. Ne duhet t’i përmbahemi parimeve në Ukrainë ashti si në Gazë, pa standarde të dyfishta”, tha Guterres për gazetarë, duke qëndruar pranë presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel.

“Përgjigja e Evropës ndaj krizën së tmerrshme në Palestinë ka qenë e gabuar, të jemi të sinqertë”, tha kryeministri irlandez, Leo Varadkar, vendi i të cilit është në mesin e mbështetësve më të fuqishëm të palestinezëve.

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e përshkroi si “dramatike” atë që po ndodh në Gazë.

“Ne sot shohim njerëz të cilët tentojnë ta ushqejnë veten duke ngrënë bar. Njerëz të cilët janë buzë urisë absolute. Evropa duhet të udhëheqë, jo të ndjekë hapa. Prandaj, është koha që ne të jemi të qartë: të kërkojmë armëpushim të menjëhershëm, të kërkojmë lirimin e pengjeve”, tha ai.



/tiranapost