Teksa themelet e Bashkimi Europian janë më të brishta se kurrë më parë, Shqipëria dhe Kosova po qëndojnë në vendnumëro në “derën” e pahapur të rrugëtimit drejt botës perëndimore. Mirëpo, po të kthehemi pas në kohë, pak kush do e mendonte se viti 2024 do i gjente shqiptarët me ëndrrën e paplotësuar të integrimit.
Një video e rrallë e deklaratave të Albin Kurtit në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziut, duket se “i ka rënë në kokë” asaj çka realisht po ndodh. Edhe pse u dëgjua me skepticizëm, Kurti ka ditur mjaft mirë të analizojë që në vitin 2009, se çfarë do servir e ardhmja për ne.
Shkurt dhe shqip, Kurti thekson se nuk do të ketë hyrje në BE nëse shqiptaret nuk bëjnë bashkimin kombëtar.
Albin Kurti © credits: youtube.com/@televizioniKLAN
Deklarata e Albin Kurtit më 15 janar 2009:
Albin Kurti: Unë nuk mendoj që shqiptarët mund të bashkohen në Bashkimin Europian. Mendoj që BE nuk i dobëson kufijtë për shtetet, por i forcon kufijtë për shtetet. Kufiri i Francës, kurrë nuk ka qenë më i fortë për Gjermaninë sesa tash. Kufiri është i dobët për gjermanët dhe francezët, për individët, për qytetarët , por për shtetet atje forcohet kufiri. Nëse Shqipëria dhe Kosova hyjnë të ndara në BE, kufiri Shqipëri – Kosovë forcohet, nuk dobësohet. Dobësohet që unë të vij kollaj, mirëpo forcohet për shtetin…
Paskal Milo: Dëgjo Albin, thelbi i integrimit është hapja e kufijve…
Albin Kurti: Por jo për pretendimet shtetërore, për individët, hapet për individët…
Paskal Milo: Një minutë, një minutë…
Albin Kurti: …për individët dhe sidomos për kapitalin.
Paskal Milo: Në momentin që ne do të jemi pas 3, 4, 5 apo 10 vjetësh ne do të jemi anëtarë të BE dhe nuk janë shumë 5 apo 10 vjet…
Albin Kurti: …në 10 vitet e ardhshme nuk kemi gjasa të integrohemi. Le të bashkohemi ndërmjet vedit. Në 10 vitet e ardhshme jo. Dhe besoni që pas 10 vitesh, BE vetë nuk e di se ku do të ndodhet, e ne tash bazohemi te BE kur BE vetë nuk e di se ku do të jetë. Integrimi europian është zëvendësim artificial, i rrejshëm për Bashkimin Kombëtar.
Paskal Milo: Por jo mor burrë se Europa është një realitet…
Albin Kurti: Në BE, pse u ngutën dy gjermanitë që para se të hyjë Gjermania lindore në BE dy Gjermanitë të bashkohen? Sepse e kanë ditur çka do të ndodhë. Çështja është që ne shqiptarët jemi më të çarmatosurit në Ballkan dhe më të paaftët ushtarakisht sepse kemi ushtri të dobëta që si kemi fare. Greqia merr armatim prej Rusisë, Serbia armatoset…dmth ne armët na ndajnë me fqinjët. Ne si kemi, ata i kanë. Por çështja kryesore që mendoj unë se është, është se: BE është konglomerat i shteteve kombe. Duhet të konsolidohemi njëherë si shtet komb. Na duhet një shtet i ri shqiptar për kombin shqiptar. Dhe jo të krijojmë iluzione se BE na bashkon atje. Me bashkim kombëtar mund të hyjmë më të fuqishëm në BE dhe nuk duhet të kemi iluzione. Bashkimi Europian nuk e zgjidh çështjen kombëtare. Ke Qipron, ke Baskët…mirë është të hyjmë, mirëpo pa iluzione…
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo