Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillon punimet në Estoni ka vendosur këtë të diel që të ngrejë nivelin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar në Asamble.
Ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili përfaqëson vendin në këtë takim të rëndësishëm.
“Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 Maj në Sofje”, shkruan Hyseni.
Me rritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, vendi do të ketë zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja.
Këto veprime, më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë.
Në kohën e zhvillimeve në rajonin tonë dhe në botë, ky lajm i rëndësishëm nga Asambleja e NATO-s tregon dhe njëherë besimin që aleatët kanë te Kosova dhe rrugën euroatlantike drejt së cilës duhet të shkohet.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo