Ish-kryeministri Sali Berisha shprehet me bindur se arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jogro Goro është kurban i Olta Xhaçkës. Sipas tij, Goro nuk bëri gjë tjetër veç se regjistroi tokën e falsifikuar të investitorit strategjik, ish-deputetit socialist Artan Gaçi.
“Sot Edi Rama urdhëroi burgosjen e Jorgo Goros. Ju them unë, nuk ka rilindas që nuk vjedh, por Jorgo Goro është kurbani i Olta Xhaçkës, sepse Goro nuk bëri gjë tjetër veç se regjistroi tokën e falsifikuar të investitorit strategjik burrë i Olta Xhaçkës.
Edi Rama, Oltën e mban në parlament. Natyrisht është aksioner në investimin strategjik të burrit të saj dhe asaj. Dhe për këtë na bind duke arrestuar Goron se ka regjistruar pronat e saj”, tha Sali Berisha nga shtëpia e tij, para demokratëve që ishin mbledhur si përherë në “Rrugën e Shpresës”.
Më tej, ish-kryeministri hu referua dhe çështjes “Beleri” kur tha se Edi Rama po e përdor drejtësinë për interesat e tij personale.
“Edi Rama përdor drejtësinë tërësisht në interesat e tij personale, shkatërron marrëdhëniet me një vend fqinj në të cilin jetojnë rreth 1 milion shqiptarë, të integruar që kanë ndërtuar jetën dhe ëndrrën e tyre. Tani për shkak të qëndrimeve të tij ç’njerëzore, antikushtetuese, antieuropiane ngre një valë të pafavorshme për emigrantët tanë”, vijoi ai.
Sali Berisha tha se Fredi Beleri është dënuar vetëm për të mbuluar ato që ai i quajti “krime monstruoze” që ka bërë Edi Rama dhe “klani i tij” në tokat e himariotëve.
“Edhe njëherë ju theksoj, çështja Beleri është para së gjithash çështje e shqiptarëve, sepse këtu nuk respektohen parimet universale të të drejtave të njeriut. Sepse këtu respektohet prezumimi i pafajësisë.
Sepse këtu respektohet manipulimi i fakteve, sepse këtu dënohet vetëm e vetëm për të mbuluar krimet monstruoze dhe mafioze, që Edi Rama dhe klani i tij ka kryer në tokat e himariotëve, duke shitur brigjet e detit”, përmbylli Sali Berisha.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo