Lajme

Gara e kampionatit kombëtar, 8 ekipe rafting dhurojnë spektakël në ujërat e Vjosës

Edicioni i shtatë i Kampionatit Kombëtar të Rafting është zhvilluar këtë të shtunë, më 23 Mars për herë të parë në lumin e fundit të egër të Europës, pasi ky sport turistik ka sjellë me mijëra turistë në luginën e Vjosës duke u bërë një nga kontribuuesit kryesor në shpalljen e saj Park Kombëtar.

Dita e kampionatit ishte fantastike, me diell dhe niveli ujit ideal për gara, të cilat ishin të forta dhe me shumë konkurrencë mes tyre. Ekipet garuan në disiplinat Slalom (gara me pengesa), sprint me eliminime dhe gara me kronometër.

Në Kampionat morën pjesë 8 ekipe, respektivisht: Ekipi “Osumi” me kapiten Ali Spathara, ekipi “Vjosa 1” me kapiten Endri Hoxha, ekipi “Vjosa 2” me kapiten Jorgo Nano, ekipi “Vjosa 3” me kapiten Robert Tabaku, ekipi “Shkumbini” me kapiten Gentian Guni, ekipi “Drini i Zi” me kapiten Gojart Rudi, ekipi “Bistrica” me kapiten Bledar Kule dhe ekipi “Bënça” me kapiten Renato Muhameti.

Zgjedhja për të organizuar kampionatin Kombëtar të Rafting 2024 së bashku me Festivalin “Last adventure Europe” apo “Aventura e fundit e Europes” organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zgjeruar lidhjet me sportet e tjera në natyrë si alpinizmi, çiklizmi, kayak duke rritur prezencën e tyre për publikun e gjerë dhe bashkëpunimin mes tyre.

Vendin e parë e fitoi ekipi i “Osumit” me kapiten Ali Spathara dhe atletë Aldo Sakollari, Franci Koroni, Xhuliano Kaloti me kohën e zbritjes 3 minuta e 44 sekonda.

Vendin e dytë e fitoi ekipi “Vjosa 1”, me kapiten Endri Hoxha dhe atletë Florian Binaj, Iken Droboniku, Bledar Kulaj, me kohën e zbritjes 4 minuta e 03 sekonda.

Vendin e tretë e fitoi ekipi “Vjosa 2” me kapiten Jorgo Nano dhe atletë Ferdinant Nano, Hari Koxhaku, Elvis Tane, me kohën e zbritjes 4 minuta e 12 sekonda.

Atletet më e mirë të kampionatit do të marrin pjesë në Kampionatin Europian të Rafting i cili mbahet në Bosnje-Hercegovinë.

Tetë skuadrat të ardhur nga lumenj të ndryshëm të Shqipërisë, dhuruan spektakël dhe shumë emocione dhe konfirmon se sporti turistik i rafting është përhapur në gjithë Shqipërinë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara u shpreh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve:

“Risia në këtë kampionat  është se për herë të parë mori pjesë një skuadër mikse, ekipi i Shkumbinit në Elbasan me dy vajza Kristina Bilbili dhe Xhesara Kusi. Shpresojmë që të kemi shumë shpejt si shtetet e tjera ekipin e parë femëror. Rafting nuk është një sport që nuk  kërkon forcë fizike por koordinim në skuadër. Profesionalizmi, argëtimi, konkurrenca, miqësia, solidariteti midis skuadrave kanë rritur këtë vit kualitetin e kampionatit. Shumë skuadra janë rritur teknikisht dhe në numër në krahasim me vitet e kaluara.”

Nga datat 3 prill deri në 14 prill, Federata Shqiptare e Rafting në bashkëpunim me guida nga Hungaria dhe Europa zhvillon trajnime për guida rafting në lumin Vjosa dhe Osum, duke mirëpritur të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve për t’u rritur profesionalisht.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo