Këtë të hënë u mbajt në Gjykatën e Apelit seanca e radhës lidhur me kërkesën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha për një masë më të lehtë sigurie dhe marrjen e tij pjesë në seancat plenare.
Seanca përfundoi rreth orës11:00, ndërkohë avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, në një deklaratë për mediat bëri me dije se trupa gjykuese u tërhoq për të marrë vendimin të cilin pritet ta japë në orën 15:30.
Gjatë fjalës së tij avokati Gjokutaj ritheksoi dhe njëherë që e gjithë kjo është skenar i kryeministrit Edi Rama, të cilin Gjykata është duke e vendosur në zbatim.
“Kjo është strategjia e Ramës dhe e kanë stisur këtë çështje. Këta deri më sot ia kanë arritur që me anë të kësaj gjykate të kapur të realizojnë këtë skenar, ne do ti kundërvihemi me mjetet ligjore”, tha Gjokutaj.
Ndër të tjera ai tha se prioritet në çdo shkallë gjykimi, si në Gjykatat brenda vendit dhe jashtë, kërkesa e Sali Berishës do të jetë lirimi i tij.
“Nga sot e tutje kërkimi kryesor parmanent do të jetë lirimi i zotit Berisha. Në çdo shkallë gjykimi do të jetë lirimi i Berishës”, tha ai.
Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në arrest shtëpie nën akuzë për korrupsion pasiv bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Ai kërkon të marrë pjesë si deputet në seancat plenare në Kuvend.
Por për çfarë akuzohet Sali Berisha?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi për veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.
Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:
Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.
- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo