Një operacion i madh i quajtur “Romina” është zhvilluar në Spanjë, kur kanë rënë në pranga 22 persona, mes tyre dhe 8 shqiptarë të akuzuar për falsifikim parash dhe trafikim droge.
Hetimi filloi me një ndjekje policore nëpër rrugët e Salou më 23 qershor, ku në një makinë u gjetën 6500 euro të falsifikuara, në mënyrë perfekte. Nuk ishte hera e parë që policia spanjolle ishte përballur me këtë falsifikim perfekt, gjë që ka bërë që operacioni dhe hetimet të vijonin në fshehtësi.
Kartmonedhat nga ajo makinë në Salou ishin kopje të atyre të shpërndara nga një bandë që ishte çmontuar tashmë në tetor 2022. Dhe nuk ishte një bandë, por “rrjeti më i madh i falsifikimit në Evropë”, sipas policisë katalanase.
Policia katalanase, e cila dha detaje në një konferencë për shtyp, thotë se ky operacion ka zbuluar disa shqiptarë shumë të rrezikshëm, të cilët kishin nën kontroll disa plantacione marijuane, të cilët ishin të armatosur duke sulmuar madje edhe grupe të tjera kriminale me dhunë, për të vjedhur marijuanën e tyre.
Grupi ruante një standard të lartë jetese pa pasur asnjë lloj të ardhurash të ligjshme. Makina luksoze, pallate, veshje të shtrenjta por edhe jetesë nën masa të forta sigurie.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo