“Kërcimi i hutave” fotoja e shkodranit Jetmir Troshani, ka fituar çmimin e parë dhe Njohjen e Artë të Nderit, në konkursin ndërkombëtar të fotografisë që u zhvillua në Itali.
Mes shumë fotografeve nga e gjithë bota, Fondi Internacional Për Fotografinë, vlerësoi se kërcimi elegant i hutave shqiponjë, është shkrepja më e mirë, në kategorinë e natyrës.
Nga Amerika ku jeton dhe është pedagog në universitetin e New Yorkut, Troshani tregon se lidhja me fotografinë, është natyrale dhe vjen nga Shkodra qyteti i fotografeve. Ai thotë se Shqipëria ka natyrën perfekte për të apasionuarit pas aparatit.
Jetmir Troshani së bashku me fotografin tjetër shqiptar Granit Hyseni, kanë krijuar edhe rrjetin e fotografeve botëror të jetës se egër, ku janë kthyer në promovues të rëndësishëm të natyrës shqiptare.