Mosha bashkë me genet janë një faktor vendimtar në goditjen e ishemisë.
Ndonëse këto faktorë janë të pandryshueshëm, njeriu mund të ndërmarrë disa masa për mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e ishemisë.
Si Të Parandaloni Isheminë
Në këtë artikull do të mësoni mënyrat se si të minimizoni rrezikun e goditjes së ishemisë.
Ulni Tensionin e Gjakut
Tensioni i lartë i gjakut është një faktor i lartë rreziku që dyfishon apo katërfishon rrezikun e ishemisë.
Ekspertët rekomandojnë që të mbani nën kontroll tensionin e gjakut dhe nëse ai rritet ta trajtoni.
Një gjë e tillë përbën një ndryshim madhor në ruajtjen e shëndetit.
Treguesit idealë të tensionit të gjakut janë 135/85, thonë ekspertët.
Tensioni ulet duke kufizuar kripën, shmangur ushqimet e përpunuara, ngrënë më shumë fruta e perime, kryer aktivitet fizik dhe duke lënë duhanin.
Humbisni në Peshë
Mbipesha dhe obeziteti rrisin gjasat e goditjes nga ishemia.
Konsumoni jo më shumë se 1,500-2000 kalori në ditë dhe bëni aktivitet fizik.
Aktiviteti Fizik
Aktiviteti fizik kontribuon fort në rënien nga pesha dhe uljen e tensionit të gjakut.
Ekspertët rekomandojnë kryerjen e aktivitetit fizik për të paktën 5 ditë në javë, së paku ecje.
Kujdes me Alkolin
Alkoli në sasi të vogla mund të jetë normal, por nëse e teproni atëherë rreziku rritet menjëherë.
Ekspertët rekomandojnë që njeriu nuk duhet të pijë më tepër se një gotë alkol në ditë.
Ata gjithashtu këshillojnë konsumin e një gote me verë të kuqe që përmban antioksidantë.
Rrahjet e Çrregullta të Zemrës
Fibrilacioni arterial është forma më e zakonshme e aritmisë, pra rrahjeve të çrregullta të zemrës.
Ai mund të shkaktojë trombozë në zemër e në tru.
Ky problem pesëfishon rrezikun e ishemisë.
Diabeti
Niveli i lartë i sheqerit dëmton enët e gjakut dhe me kalimin e kohës nxit trombozën.
Ekspertët rekomandojnë monitorimin e sheqerit në gjak, ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe medikamentet.
Lini Duhanin
Duhanpirja përshpejton formimin e trombozës.
Duhani trash gjakun dhe e mpiks atë.
Lënia e duhanit është një nga ndryshimet më thelbësore në stilin e jetesës që mund të pakësojë ndjeshëm rrezikun e ishemisë.
Simptomat Alarmante të Ishemisë
Të shumtë janë njerëzit që injorojnë shenjat paralajmëruese të ishemisë sepse vënë në dyshim seriozitetin e simptomave.
Ekspertët thonë se njerëzit duhet të shkojnë në urgjencë menjëherë nëse:
Njëra gjysmë e fytyrës varet kur buzëqeshni;
Kur ngrini krahët në ajër, njëri prej tyre lëshohet sërish poshtë
Kur keni vështirësi në artikulimin e fjalëve;
Kur nuk qëndroni dot në këmbë,
Kur keni dhimbje të pazakonta dhe shumë të forta të kokës.