ShowBizzz

10 milionë euro pasuri/ Si po tentojnë Besi dhe Xhensila t’i shpëtojnë SPAK-ut me ndarjen false, lidhja me trafikantë kokaine dhe Ilir Metën

Dikur ndanin byrekun me qepë para Liceut te Rruga e Elbasanit, sot çifti i show biz-it Besart Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj ndan vila dhe biznese me vlerë miliona euro, me burim të dyshimtë.

Nuk është turp të kesh qenë apo të jesh i varfër, as të jesh i pasur, por, të bësh mbi 10 milionë euro pasuri vetëm se njeh Ilir Metën dhe disa trafikantë kokaine, së paku, duhet t’i nënshtrohesh një hetimi penal.

Dhe ky hetim penal nuk mund të parandalohet me lot krokodili dhe aktrime. Çifti i show biz-it vijon të mbajë lojën e ndarjes.

Aktori i humorit, Bes Kallaku ‘konfirmoi’ ndarjen nga Xhensila Myrtezaj, thashethem i cili përflitej prej muajsh, duke u shprehur se tashmë janë si dy të huaj.

“Kur isha këtë herë në Itali erdhi më mori dikush. Më pyeti se çfarë ke bërë, po fëmijët? Mirë i thashë, gocën e shoh më shpesh, djalin pak më rrallë sepse jetojnë me ish-bashkëshorten. U mërzita sepse njeriu ndodhet me disa situata në jetë që nuk i ka pritur, është pak e vështirë. E rëndësishme është të jenë të mirë. Në shtëpi me nusen jemi të huaj. Rëndësi ka që të jenë mirë me shëndet”, u shpreh Bes Kallaku në “Ferma Vip”

Nga ana tjetër, Xhensila Myrtezaj publikoi këngën e saj “Lotët” që u tha se ishte dedikim për fundin e martesës së saj më Bes Kallakun.

Prapaskena po sjellë për publikun disa fakte dhe rrethana, të cilat ngrenë dyshime të forta se ndarja mes çiftit është një sajesë dhe marifet, për të ndarë dhe mjegulluar pasurinë, e cila nuk justifikohet me para të ligjshme.

Vila, biznese, lokale, palestër, restorante, apartamente etj., një pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, Besi dhe Xhensila kanë menduar ta kamuflojnë me disa kredi qesharake.

Duke parë se si Prokuroria dhe SPAK po sekuestrojnë pasuri me vlerë miliona euro, duke parë se si Ilir Metës po i ngushtohet laku, Besi dhe Xhensila shpresojnë se do t’i shpëtojnë një hetimi pasuror përmes ndarjes.

Si do që të jetë ndarja, reale apo fiktive, një ditë, një pyetje duhet të marrë përgjigje: Cili është burimi i pasurisë së Besart Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj?

Kur SPAK-u do nisë një hetim pasuror për çiftin e lidhur ngushtësisht me çiftin Meta-Kryemadhi dhe bosë të trafikut të kokainë, duke u kthyer në subjekte të ligjit anti-mafia?

Restorant e kompleks sportiv disa milionë euro

Në maj të vitit të kaluar Besart Kallaku ka regjistruar një biznes në Mëzez, Kashar, në krah të rrugës kryesore.

Biznesi në Kashar

Është një investim mbi 2 milionë euro, ku përfshihen Kompleksi Sportiv Noku, kënde lojërash për fëmijë, një restorant, piceri etj, me emrin Burger Ija.

Ky biznes mban emrin e gjyshes së Besart Kallakut, Ijes. Përdorimi i gjysheve për të kamufluar bizneset është një tipar kryesisht i grupeve kriminale dhe i trafikantëve të kokainës. Në këtë rast, Bes Kallaku, biznesin e ka në emrin e tij, por i ka vendosur emrin e gjyshes.

Vetëm investimi për kuzhinën e këtij restoranti ka kushtuar mbi 400 mijë euro. Ka të dhëna se përmes këtij biznesi, Bes Kallaku po pret fatura fiktive, duke rritur xhiron, me qëllim pastrimin e parave të pista.

Çifti dy vila miliona euro

Me finalizimin e divorcit të shumëpërfolur, Besi dhe Xhensila pritet të ndajnë edhe dy vila në komplekset e oligarkëve, një në afërsi të Tiranës dhe tjetrën në Gjirin e Lalzit.

Vlera e tyre është disa milionë euro. Burimi e parave si gjithnjë mbetet mister.

Edhe nëse tashmë i kanë kaluar në emra të tjerë, prokuroria mund të sekuestrojë mjaftueshëm pamje filmike ku Besi dhe Xhensila shfaqen në vilat e tyre.

Për shembull, për vilën e Bes Kallakut në Gjirin e Lalzit, ftojmë Prokurorinë e Tiranës të sekuestrojë dhe këqyrë pamjet e emisionit ‘E diela shqiptare – Për drekë me mua’ (22 prill 2018).

Nuk ka ndonjë ndryshim të madh me vilën e Ilir Metës, i cili është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.

Shtëpi 1 milionë euro te Liqeni i Thatë

Besart Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj, muajt e fundit, kanë blerë një shtëpi me vlerë mbi 1 milionë euro pranë Kopshtit Zoologjik, një nga zonat e shtrenjta të Tiranës.

Bëhet fjalë për katin e fundit të një pallati të ri, i përshtatur si shtëpi banimi. 

Xhensila, klinikë 2 milionë euro

Në maj të vitit 2021, Xhensila Myrtezaj ka hapur një klinikë dermoestetike te Liqeni i Thatë.

Bëhet fjalë për klinikën Silabel, një investim me vlerë mbi 2 milionë euro.

Në të njëjtën zonë, çifti ka blerë edhe shtëpinë e re, katin e fundit të një pallati.

Nuk dihet burimi i parave për këtë investim. Xhensila Myrtezaj është pronare e dy kompanive pothuajse fantazmë, pa aktivitet të dokumentuar dhe bilance, si këngëtare, këshillime për reklama dhe shitje produkte estetike, me afresë te Liqeni i Thatë.

Xhensila, palestër dhe disa shtëpi

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj është pronare e një palestre në Sauk dhe e disa shtëpive në Tiranë.

Bëhet fjalë një investim tjetër disa milionë euro me para që nuk u dihet burimi.

Zonja Myrtezaj demostron luksin edhe tek veshjet e shtrenjta. Aksesorët dhe veshjet e këngëtares kushtojnë mijëra euro.

Besi, restorant peshku

Besart Kallaku është bashkëpronar i një restoranti peshku në Tiranë, Loku & Arditi Fisherman, hapur në vitin 2017, një investim ky gjithashtu me burim të dyshimtë parash.

Aktori i humori posedon edhe disa makina luksoze dhe apartamente, që të gjitha me burim të dyshimtë parash.