Kryetari i Partisë së Lirisë e ka quajtur politike thirrjen e vjehrrës së tij në Prokurorinë e Posaçme. Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, u paraqit gjatë kësaj javë në ambientet e SPAK dhe u pyet nga prokurorët për pasurinë e saj.
Gjatë një konference për mediat këtë të shtunë, Ilir Meta është pyetur dhe përgjigjur pikërisht për këtë rast. Ai e ka cilësuar vjehrrën e tij një grua të mrekullueshme dhe thirrjen e saj për të dëshmuar tërësisht politike.
“Kjo nuk përbën asnjë interes për mua. Ajo është një zonjë e mrekullueshme dhe gjithçka tjetër është politikë dhe asgjë tjetër”, është shprehur ai.
Ndërkohë, kryetari i Partisë së Lirisë tha se nuk kishte asnjë informacion se për çfarë ishte pyetur Fatime Kryemadhi në SPAK, por sqaroi se vetë ka shkuar sa herë e kanë thirrur dhe nëse do të shkojë atje sërish, do u bëjë dhe ai disa pyetje serioze.
“Nuk kam asnjë informacion. Sa herë kam qenë në SPAK, kam dalë para gazetarëve. Kur të më ftojnë do u bëj dhe disa pyetje serioze prokurorëve. Kanë kërkuar dhe një mandat tjetër meqë janë lodhur shumë këta duke gjetur 60 mln eurot që ua ka treguar Arben Ahmetaj se ku janë dhe i dinë por nuk i gjejnë dot sepse nuk i lënë favoret që marrin nga Erion Veliaj”, u shpreh Ilir Meta.