Nëse ke një shoqe ose shok të ngushtë me siguri je gjetur të paktën një herë në një situatë kur ai/ajo ka nisur një lidhje të re dhe ti nuk ke ditur çfarë t’i thuash. Arsyeja është e thjeshtë: Partneri i ri nuk të pëlqen dhe nuk di si t’ia thuash për të mos i lënduar ndjenjat.
Ekspertja e marrëdhënieve, Louella Alderson, e pyetur nga “Pop Sugar”, sugjeron që hapi i parë të cilin duhet të bësh është të tregohesh dëgjues i mirë. Në çdo kohë duhet të tregosh respekt dhe mbështetje për miqtë e tu, pavarësisht zgjedhjeve të tyre. Nëse je dëgjues/e i/e mirë mund të kuptosh perspektivën e tyre dhe arsyen pse po bëjnë zgjedhje të caktuara.
Rrjedhimisht, do të ndërtosh argumente më të mirë për t’i ndihmuar miqtë. Këtu Alderson thekson se nuk duhet të tregohesh shumë këmbëngulës/e. Në fund të ditës, vendimi është vetëm në duart e tyre dhe ti ke rol këshillues.
Në disa raste, kur e ndien se perspektiva jote nuk ndryshon, mund të shtrëngosh dhëmbët për të mos thënë asgjë. Duke bërë këtë do ruash shoqërinë dhe do shmangësh disa probleme. Mos harro se të pasurit mendime të ndryshme nuk është shenjë e problemeve në shoqërinë tuaj.
Por, Alderson thekson se bazuar në mënyrën si një raport është i ndërtuar, një diskutim i fortë i kësaj natyre mund të prishë një shoqëri, nëse bazat e saj nuk janë të forta.