Afrimi i situatës së pazakontë është mes moshës 11 dhe 13 vjeç. Themelore, nëse doni t’i mbroni fëmijët tuaj nga rreziku, është të ndërhyni që në sinjalet e para…
“Problemet e adoleshentëve nuk janë rrufe në qiell të kaltër, – thotë Paola Schiavi, psikoterapeute. – Të rinjtë dërgojnë sinjale të qarta, edhe pse ndonjëherë të paperceptueshme nga prindërit”. Por cilat janë këto sinjale paralajmëruese? “Vështrim i hutuar, sy të kuq, lodhje… regjistrohen ndryshime humori, mbyllje të papritura në vetvete, shpërthime të pajustifikuara dhe humbje interesi për jetën, – specifikon Angela Ganci, psikologe dhe psikoterapeute. – Kujdes ama, mos u shndërroni në detektivë për çdo ndryshim sado minimal të sjelljes së fëmijëve tuaj, – shton ekspertja. – Adoleshenca është një moshë kalimtare e përbërë nga shpërthime dhe tërheqje. Fëmijët e kësaj moshe janë në kërkim të ekuilibrit, mes dëshirës për t’u lëshuar në fluturim dhe nevojës për të qenë të qëndrueshëm”.
Mbajeni të mprehur vëmendjen
Ndonjëherë, nëse prindërit “këmbëngulin” që të mos e shohin gjendjen jo të mirë, fëmijët i përhapin detajet nëpër shtëpi që ajo të bëhet më e dukshme: bishta cigaresh, veshjet me erë tymi, para me prejardhje të dyshimtë. “Mbrëmë im bir u kthye në shtëpi i dehur, – tregon Eva, mamaja e Iglit 15 vjeç. – Dhe nuk është hera e parë. Jam kaq e pështjelluar…”. Çfarë duhet të bëjë ajo? “Të ndërhyjë menjëherë! – komenton Schiavi: – Një dehje e lehtë mund të jetë e tolerueshme, një herë, me rastin e ndonjë feste të veçantë, por nëse përsëritet duhet të ndërhyjë një i rritur, ama me një qëndrim të papërkulshëm. Nëse adoleshentët nuk i gjejnë kufijtë për të përballuar pasiguritë dhe ankthet e tyre, i kërkojnë nxitjet tek alkooli ose substanca të tjera”. Në çfarë rastesh duhet që prindi të shqetësohet me të vërtetë? “Vëmendja duhet mbajtur gjithnjë e lartë, – pohon Ganci. – Duhet ditur se me kë shoqërohen fëmijët, ku shkojnë, çfarë interesash kultivojnë, si dhe të monitorohet rendimenti në shkollë”.
Kultivoni marrëdhënien
“Për të mos qenë ‘të verbër’, lipset investuar për një marrëdhënie të ngushtë me fëmijën, qysh kur ai është i vogël, – vazhdon Schiavi. – Bëhet fjalë për një proces të kushtueshëm nga këndvështrimi i energjive dhe i kohës, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një raport empatie”. Për këtë, fëmijët duhet të edukohen që të dinë t’u japin një emër emocioneve, nevojave të tyre dhe për të krijuar sistemin e tyre të rregullave. E nëse dikush nuk ia del, sepse gjendet para një fëmije që ngre një mur të pakapërcyeshëm? “Marrëdhënia me fëmijën është si një balonë, – përgjigjet ekspertja. – Mund të përshtatet gjithnjë. Sekreti është të rregullosh herë pas here fillin që e mban, në mënyrë që balona të mos ikë ose të mos bjerë përtokë”.